Salavati, si udhëzim për të jetuar në dritë

Ajeti 56 i sures El-Ah’zab përmban në vetvete një urdhëresë, me të cilën Zoti i gjithësisë i drejtohet besimtarëve. Mirëpo e veçanta e kësaj urdhërese është se All-llahu i Madhëruar i ka paraprirë asaj me lajmërimin e madh se Vetë All-llahu, Zoti i gjithësisë, edhe melekët e Tij bien salavatë për të dërguarin e Tij, Hz. Muhammedin (a.s.). Thotë: “Është e vërtetë se All-llahu dhe melekët e Tij bien salavatë (me madhërim e mëshirojnë) për Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë (duke rënë salavatë) dhe përshëndeteni me selam.” Ky ajet kur’anor është mrekulli në vetvete! Mrekulli që vërteton pozitën e lartë të Hz. Muhammedit (a.s.) tek Zoti i botëve, i Cili, në mënyrë të drejpërdrejtë lajmëron këtë madhështi dhe gradë të lartë të Dërguarit të Tij të fundit, për salavatin e të cilit është angazhuar gjithësia, deri në kijamet!

Pra, Ai (Madhëruar qoftë) dërgon bekime e mëshirë në vazhdimësi për të Dërguarin e Tij. Edhe melekët e Tij luten për të dhe e madhërojnë në kufijtë e kësaj urdhërese. Edhe besimtarët janë të ftuar të lartësohen në këtë pozitë të lartë, për të qenë pjesë e salavateve të pandërprera për të Dërguarin mëshirë për gjithësinë!

Pyetja që besimtari duhet t’i bëjë vetes është se, nëse All-llahu i Madhëruar e ka lartësuar dhe nderuar të Dërguarin e Tij, poashtu edhe melekët; a nuk është momenti të kuptohet se teksa Zoti i gjithësisë na fton të biem salavatë, Ai po na fton që ta madhërojmë personin e Hz. Muhammedit (a.s.) dhe mesazhin e tij, i cili është i kulluar dhe i plotë, për të na nxjerrë nga çdo errësirë drejt dritës së pashuar të udhëzimit dhe besimit të drejtë!

A jemi sot në gjendje që nëpërmjet shqiptimit të salavatit, të ndjejmë madhështinë e kësaj feje të plotësuar islame, mëshirën në fjalën udhëzuese të Hz. Muhammedit (a.s.) dhe domosdoshmërinë e kthimit tonë të vazhdueshëm drejt vlerave të jashtlzakonshme dhe virtyteve të plota të fesë tonë, për të jetuar me salavatin e Resulull-llahut (a.s.) një jetë të mbushur me dritë, larg errësirave, krejt errësirave?!

(Nga dersi i akshamit, më 16 janar 2020, në xhaminë e Tophanës)