A i vlerësojmë ne këto betime?

Në jetën tonë, kemi nevojë ta trajtojmë kohën si gjënë më të çmueshme që na ka dhënë Zoti i gjithësisë! Në fakt, koha është vetë jeta e jonë! Dhe, këtë jetë që All-llahu i Madhëruar na e ka dhënë, na ka nxitur që ta ndërtojmë shoqëruar me ruajtjen dhe përkujdesjen maksimale ndaj kohës.

Ajetet kur’anore që na ftojnë drejt respektimit dhe madhërimit të kohës, janë të shumta. Nëpërmjet tyre na tërhiqet vëmendja për të respektuar çdo moment të ditës dhe të natës, për segmenetet e të cilave, Krijuesi i gjithësisë betohet në Kur’anin Famëlartë në mënyra të ndryshme, si: “Pasha agimin”, “Pasha kohën”, “Pasha paraditen”, “Pasha natën”, “Pasha sabahun”, etj. A i vlerësojmë ne këto betime, nëpërmjet të cilave na thuhet: O muslimanë, shfrytëzojeni kohën dhe mos e humbni durimin për të realizuar qëllimet tuaja fisnike në jetë!

Sepse koha e qëndrimit në këtë botë është e shkurtër, ndërsa ti ke ardhur në të për të lënë gjurmën tënde!

Ti nuk ke ardhur për të jetuar si një gjethe, që pas ciklit të saj bie, pa e ndjerë njeri mungesën e saj! Ti je njeri, që mbart një amanet të madh mbi supe; shfrytëzoje kohën, që gjurma e jote të gdhendet me prekje drite e dobie për njerëzimin dhe, amaneti yt të përhapet si drita e diellit, që ngroh e gëzon!

Ne jemi të ftuar ta përvetësojmë edukatën dhe moralin e fesë në jetën tonë të përditshme, duke e përvetësuar moralin e fesë tonë të madhnueshme islame në komunikimin tonë me bashkëmoshatarët tanë, me familjen tonë, me këdo në jetë!

Misioni i fesë tonë nuk është trembja e njerëzve! Misioni i fesë tonë nuk është të drejtuarit me gisht prindërve! Misioni i fesë tonë është ta bëjmë All-llahun të dashur për krijesat e Tij!

Dëgjova mbrëmë një hadith nga kanali i Medines së Ndriçuar. Një grua vjen tek i Dërguari i All-llahut dhe i thotë: Ja Resulull-llah, më ka ardhur nëna ime dhe më kërkon ndihmë, por ajo është mushrike (idhujtare), a ta ndihmoj? I Dërguari i All-llahut (a.s.) ia ktheu: “Ndihmoje nënën tënde!”, siç e transmeton Imam Ahmedi.

Pra, të bëhemi shkak me moralin dhe edukatën tonë që të tjerët të shohin bukurinë e Islamit dhe madhështinë e tij!

Ne duhet të shfrytëzojmë kohën që moralin e fesë tonë, me të cilin duam të jetojmë, t’ia shërbejmë të tjerëve në mënyrën më të mirë të mundshme!

(Nga dersi i akshamit, më 18 janar 2020, në xhaminë e fshatit Guci e Re)