
Nga: Shejkh Ahmed Keftaro
Janë dy varka shpëtimi, që s’kanë të tretë… Dy drita që i ndriçojnë njeriut rrugën e lumturisë dhe mirësisë, për të mbërritur aty… Dy drita, që dalin nga një burim, që nëse njeriu do të ketë fatin e mirë të gjejë të parën, ajo do ta udhëzojë për tek e dyta dhe po u bashkuan, e mira do të plotësohet për atë njeri. Janë dhurata e Zotit për njeriun: Mendja dhe Feja…
Mendja që punon dhe feja e pastër nga përzierjet e ndryshme të paditura, të ngushta dhe fanatike…
Feja që nxit mendjen për t’u ngritur, për të menduar, kuptuar e për të medituar…
Feja e Zotit dhe ligjet e Tij, që thonë: “Ai ia sqaron argumentet një populli që kupton!” – (Kur’ani, Junus: 5), si dhe: “Kështu All-llahu ua spjegon argumentet e Veta, që t’i kuptoni!” – (Kur’ani, El-Bekare: 242), poashtu: “Kështu ua sqaron All-llahu argumentet, ashtu që të mendoni. Për këtë botë dhe për botën tjetër!” – (Kur’ani, El-Bekare: 219).
Për çfarë të mendojmë? Për çfarë të kërkojmë dhe të analizojmë? Kur’ani thotë: “Ashtu që të mendoni për këtë botë dhe për botën tjetër!”. D.m.th., në jetën trupore, tokësore si dhe çfarë lidhet me to nga shkencat e ndryshme, ekonomia, industria, etj. Në forcën, shëndetin, pasurinë, etj.
Të mendoni po ashtu në jetën tuaj shpirtërore të plotë dhe çfarë lidhet me të, me mirësi, morale, obligime të ndryshme, si dhe lidhjen e shpirtit njerëzor me dritën e Zotit të madhëruar.
Vëllezër të nderuar
Me t’u dëgjuar zëri i Kur’anit, zëri i shpalljes së qiellit, arabët e parë u zgjuan nga gjumi i rëndë dhe i thellë i padijes dhe paganizmit, për t’iu dorëzuar atij zë me të dyja duart…
Dhe s’kaloi shumë kohë, deri sa Kur’ani ringjalli ndër ta mendjen e shëndoshë dhe dritën e mendimit të pastër e të drejtë.
Dhe vazhduan të ecin sipas udhëzimeve të shpalljes dhe të mendjes, duke ndriçuar rrugën me dritat e tyre, që u zbulonin të vertetat e kësaj bote, derisa zunë dijen dhe volën nga pemët e saj, frutat e urtësisë dhe të përparimit.
Kështu, ajetet kur’anore dhe drita e mendjes, udhëzuan njeriun drejt bashkimit dhe çlirimit nga epshet shkatërruese, drejt edukatës, mirësjelljes dhe mirësive, shkencave dhe dijes, drejt çlirimit të botës nga padija dhe padrejtësia.
Më pas, me këtë udhëzim arritën të themelonin Universitetin më të madh botëror, që njësoi tre kontinente: Azinë, Afrikën dhe Evropën…
Universitet njerëzor, që lulëzon me drejtësi, barazi, forcë e madhështi, që mbledh njeriun e bardhë, të zi, të kuq e të verdhë, në një vend dhe nën një flamur, atë të vllazërimit, bashkëpunimit, lirisë mendore dhe logjike!
Në këtë mënyrë shoqëria kur’anore u bë më e lumtura shoqëri që ka njohur njerëzimi me përparim dhe dituri. Shoqëri, që Kur’ani i hapi dyert e përparimit në mjekësi, farmaci, filozofi, inxhinieri, biologji, gjeografi, astronomi, etj.
Emra si: Ibn Sina, Er-Razi, El-Farabi, Ibn Hejthem, El-Gazali, Ibn Hijjani, El-Bejruni, El-Idrizi, El-Khavarezmi, etj., nuk kanë nevojë për prezantim.
Pastaj myslimanët fjetën… Dhe erdhi koha për t’u rizgjuar, por çfarë të shohim? Shohim popuj që fluturojnë në qiell, që zhyten në thellësi të detrave, që flasin me celularë, satelitë, që shpërthejnë burimet e diturisë dhe shkencave, që nxjerrin nga toka thesarët e saj, metalet e ndryshme, etj..
E gjithë kjo nga frutat e mendjes që logjikon, që disa i drejtoi drejt themelimit të TPE- së, e disa të tjerë drejt themelimit të OKB- së, e disa për themelimin e Lidhjes së vendeve saksofone, etj., pa marrë parasysh ndryshimin e anëtarëve, në ngjyrë, kombësi, kontinent e fe, vetëm për hatër të dijes dhe forcës ekonomike.
Ndërsa arabët e myslimanët, të ndarë dhe të përçarë në shtete, provinca, grupime e sekte, duke ruajtur me fanatizëm kufijtë e caktuar nga pushtuesi armik e zullumqar.
Egoizmat s’lejojnë bashkimin dhe njësimin, ndërkohë që kështjellat dhe sarajet e “Një mijë e një netë- ve”, po mbyten në pasuri e shpërdorim të saj, sikurse kopracia dhe mendjelehtësia, me egon në krye, s’lejojnë përparim-zhvillimin e popujve dhe të ekonomisë së tyre…
Të zotët e parasë fjetën, të lodhur nga netët e qejfit. U zhytën në detrat e dëshirave të ulta dhe epsheve shtazore, ndërkohë që anijet kozmike amerikane dhe ruse rrethuan hapësirën, a thua se ajeti kur’anor: “Thuaj: “Vështroni me vëmendje ç’ka ka në qiej dhe në tokë” – (Kur’ani, Junus: 101), ka zbritur për amerikanë e rusë dhe a thua se thënia e Pejgamberit (a.s): “Nuk është prej meje veçse i dituri dhe ai që mëson”, është thënë për jomyslimanët!?
Popujt përparuan, ndërsa myslimanët mbetën të copëtuar dhe të përçarë…
Dikush prej tyre mendon se kjo jetë është vetëm të mbledhësh pasuri, të kesh thesare dhe t’i groposësh për interesa vetiake, apo kapriço të ndryshme…
Dikush e kupton përparimin dhe civilizimin me verë, pije të tjera,
femra dhe adulteri në moral dhe sjellje, duke shkapetur për mur ajetin kur’anor: “Ashtu që të mendoni, për këtë botë dhe për botën tjetër”, duke injoruar, ose duke u vetëverbëruar ndaj ajetit: “Thuaj: “Vështroni me vëmendje ç’ka ka në qiej dhe në tokë”, duke harruar historinë e të parëve dhe mënyrën se si e kuptuan Islamin, që është fe dhe shtet, pasuri dhe sakrificë, edukatë dhe mëshirë…
Këta myslimanë ndoshta nuk e dinë, se shumë nga evropianët e mëdhenj e të drejtë lajmëruan përpara botës mbarë, se janë nxënës të baballarëve tanë të parë dhe se civilizimi evropian është bir i civilizimit islam…
Vëllezër të nderuar!
Ndodhitë dhe tragjeditë botërore, po zgjojnë myslimanët nga gjumi i tyre i gjatë, për t’iu rikthyer Kur’anit dhe porosive pejgamberike, për t’iu rikthyer madhështisë dhe krenarisë, për të qënë ndërtues qoftë edhe me një fjalë, jo shkatërrues, për të mëshiruar krejt njerëzimin e për t’i rikthyer atij buzëqeshjen, që ia humbi ky materializëm fanatik.
I lutem All-llahut që të na e plotësojë besimin dhe Islamin, që na bashkon forcën e mendjes dhe të diturisë përkrah forcës së besimit dhe Islamit. Amin!
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari