“Neve All-llahu na ka ngarkuar të shërbejmë…”

Po dëgjoja me shumë vëmendje një bashkëbisedim të mbushur me vlera, urti e mirëkuptim, në mes thirrësit islam amerikan, Varithudin Muhammed (1933-2008) dhe Kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1915-2004). (Nxënësit e Imam Varithudinit nisën të vinin grupe-grupe në shkollën tonë për të mësuar arabishten dhe artet e Thirrjes Islame).

Në fund të bashkëbisedimit të inçizuar dhe që gjendet lehtë po të kërkohet, zhvillohet edhe ky dialog:

Imam Varithuddin: “Do dëshiroja të rrija këtu dhe të isha shërbëtor i juaj!”

Shejkh Keftaro: “All-llahu të begatoftë! All-llahu më bëftë shërbëtorin e Tij, të krejt muslimanëve dhe krejt njerëzimit! Neve, All-llahu na ka ngarkuar të shërbejmë. Sa më tepër që njeriu i sjell dobi të tjerëve, ai është njeriu më i dashur tek All-llahu!”

Në fakt, fjalët e Kryemyftiut rahmetli më frymëzojnë si përherë, drejt këtij shpirti, për të cilin ka nevojë njeriu i sotëm, bota e jonë; shërbimi për hir të All-llahut!

Shërbimi për të rregulluar ekuilibrat e gjërave në jetën tonë. Sepse është e dhimbshme për jetën e njeriut që e keqja, mashtrimi, hileja, dyfytyrësia, korrupsioni, gënjeshtra, pushteti i padrejtësisë, zullumet, haramet, imoraliteti, egoizmi, përtacia, kopracia, smira, zilia, mendjengushtësia, arroganca, xhelozia e verbër, ambicia vrastare e të ngjashme, të dominojnë mbi shpirtin e besimit dhe atë të paqes që ai dhuron në jetë, ndërkohë që ata që kanë marrë mbi supe amanetin e shërbimit, edhe heshtin..!?

Sikurse është gjynah i madh dhe e papranueshme, që besimi të instrumentalizohet nga e keqja për të shitur demagogji e modele feje të infektuar, larg boshtit të origjinës e krejtësisht me kokë të ulur para së keqes së veshur me rrobat e zotërisë së nderuar..!?

Prandaj, kjo botë ka nevojë urgjente për shërbëtorë të urtë, guximtarë, mendjehapur e largpamës, që i nënshtrohen vetëm Një Zoti, në rrugën e tyre për të shpëtuar NJERIUN…

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, më 4 dhjetor 2020