Nuk është prej nesh..!

 

Dje, në xhaminë e Tophanës, teksa shihja zotërinjtë e thinjur, besnikët e hershëm të xhamisë, m’u forcua edhe më shumë bindja dhe besimi në ato fjalë të urta të Resulullahut (a.s) që na urdhëron të jemi respektues dhe nderues ndaj më të moshuarve!

Ndjej dhimbje për mungesën dhe boshllekun që shkakton mosprania në mes nesh e dhjetra burrave të urtë prej atyre që na paraprinë drejt të përjetshmes, sikurse mbushem me shpresë kur shoh fëmijët e djemtë e rinj që vijnë në xhami pa mundin tonë; është dashnia e Allahut që hyn në zemra përtej tekave të axhendave e propagandave errësuese… sepse ajo DRITË është vulë hyjnore, me të cilën ndriçon zemrat e të dashurve të Tij, jashtë vullneteve, përpjekjeve e dëshirave të kujtdo…

Subhanallah, shekuj e shekuj të shkuar, qëkur i Dërguari i Allahut (a.s) porosiste në mënyrë të prerë: “NUK ËSHTË PREJ NESH ai që nuk mëshiron të voglin tonë dhe që nuk nderon të madhin tonë!”.

Dhe, më vjen ndër mend dëshmia e shtrenjtë e Haxhi Faik Hoxhës, rahmet pastë, që më tregonte se, kur shkoi të vizitonte një ditë Hafiz Sabri beg Bushatin, mikun e shtrenjtë të babës së tij rahmetli, Sheh Qazim Hoxha, Hafizi plak kishte dalë ta përcillte deri tek dera e oborrit…

I befasuar, i riu Faik Hoxha ishte munduar ta kthente, për edukatë e respekt, ndërsa Myftiu plak, H. Sabri Bushati ia kishte kthyer: “Nuk po të përcjell ty, por Qazim efendinë..!”.

Allah Allah, sa edukatorë të urtë që ishin, sa transmetues fisnikë të fetarizmit të shëndoshë, sa mësues me vepra… Rahmet paçin!

📌 Imam Muhamed B. Sytari
Reflektim xhumaje, më 3 prill 2021.