Të bardhët, që botën ndriçojnë!
Si sot dy vite më parë, në zonën e Anës së Malit, në fshatin Oblikë, ndërroi jetë plaku i mirë e besimtar, Haxhi Rexhep Halit Zeneli, një burrë i urtë që e kam dashur dhe më ka dashtë me zemër!
E kujtoj përherë të qeshur, të heshtur dhe me një vështrim të mbushur me mëshirë, mirësi e meditim. Si të ishte duke lexuar, çfarë të tjerët nuk e shihnin dot…
Ramazanin e para dy viteve, (që paska qenë edhe i fundit për zotninë e tij), teksa po bënim iftar në shtëpinë e tij, teksa flisnim për sakrificat e ruajtjes së fesë në kohët e errësirës së para vitit 1990, më thoshte: “88 vjet u bana, asnjiherë s’e kam lanë Ramazanis në kohë të partisë! E kanë ditë se ninoj, janë përpjekë me ma prishë e me më paditë, por s’i kam lanë shkas se e kam ba punën me rregull!”
Ndërkohë, dje në Medinen e Resulullahut (a.s), ndërroi jetë plaku i paqtë, Muhjidin Hafidhullah, në një moshë të thyer, që e kishte kaluar shekullin.
Ai është cilësuar si frekuentuesi më i rregullt i xhamisë së Pejgamberit (a.s) në kohën tonë. 50 vite frekuentim pa shkëputje, i lumi ai!
Subhanallah, nuk boshatiset kurrë kjo botë nga njerëzit e bardhë, që në heshtjen e tyre dëshmojnë përkushtim e dashni, sa për krejt botën!
Allahu i mëshiroftë dhe e bëftë shembullin e tyre dritë udhëzimi për ata që vijnë!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 19 qershor 2021