E xhumaja, si simbol i rimëkëmbjes!
E xhumaja merr kuptimet e veta në detajet e vëllazërisë, takimeve të përzemërta me më të diturit e të përkushtuarit, që jetën ia kanë kushtuar çështjes së udhëzimit e dijes, thirrjes me urtësi e besnikërisë në përcjelljen e dritës së udhëzimit, brez pas brezi!
Sot, njësoj si të xhumanë që kaloi, u ndjeva i bekuar në përkthimin e përafërt të këshillave të urta të mbajtura në xhaminë e Parrucës nga Dr. Murhaf Sekka, studiuesi i shkencave të Kuranit, autori dhe pedagogu i ditur, që na ka nderuar me vizitën në Shkodër, pas ftesës që i bëmë për të qenë me ne për disa ditë.
Në fakt, këto janë DITËT, nëse duhet të flasim për vlerat dhe dobinë e tyre! Përndryshe, ditët e ngarkuara me tensione, hile, pabesi e monotoni province, ngelen vetëm çaste të zgjatura të një matufosjeje e hutimi, që duhen kapërcyer për t’u rritur e zhvilluar si shoqëri, jo vetëm si perceptim fetar, por edhe si shfaqje qytetëruese!
Xhematet tona kanë nevojë për kulturën e dersit para xhumasë, si një traditë shekullore e hoxhallarëve tanë, si pjesë përbërëse e qytetërimit tonë, si borxh ndaj brezit të ri, si amanet i së shkuarës e domosdoshmëri e të sotmes!
Bashkësia e jonë ka përherë e më shumë nevojë për t’u hapur në drejtim të dijes dhe dijetarëve të traditës, mesazheve të boshtit, takimeve e vizitorëve nga mbarë trojet tona shqiptare e ato të ymetit islam, për të dalë nga izolimi dhe guacka e frymërave të devijuara, mendësive sektare e tendencave për t’u rrudhur nën çatinë e xhamisë, si komunitet i vdekur a në koma vegjetative!
Islami është fé e jetës, e zhvillimit dhe lartësimit në shkallët më të larta të dijes, duke u dëshmuar si njerëz me dinjitet!
E xhumaja.., kjo ditë që na tërheq drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit!
Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 30 korrik 2021