Meditime (68)

"Ti, Muhamed Sytari, që të bëra edhe Myfti..!?"

"Ti, Muhamed Sytari, që të bëra edhe Myfti..!?"

“Ti, Muhamed Sytari, që të bëra edhe Myfti..!?”

Para ca netësh, teksa po i tregoja mikut tim sirian, Dr. Murhaf Seka, ca detaje nga qyteti i Shkodrës, papritur një zë i fortë ushtoi, dule thyer heshtjen e asaj ore të vonë: “O ju rujtë i madhi Zot!”… dhe unë shtanga në vend, aq sa mikut tim i ra në sy.

Pyetjes së tij se çfarë ndodhi, iu përgjigja duke i thënë se, njëri prej të ulurve në tavolinën në rrugë, pranë një lokali të vogël, na bekoi me lutjen e tij, ndërsa unë u frikësova se, nesër në ditën e gjykimit, Zoti i gjithësisë mund të më pyesë: “Ti, Muhamed Sytari, që të bëra edhe Myfti, a e more mundimin t’ia përcjellësh Fjalën Time edhe pijanecëve në rrugë!?”.., dhe të dy heshtëm për pak…

Ky detaj, që s’më hiqet nga mendja, më solli në hatër një lexim mbi jetën e Kryemyftiut të shkuar të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1912-2004), pikërisht rrëfimin e njlrit prej përkthyesve të tij të anglishtes, Dr. Faruk Akbik… (E kam njohur nga afër. Ishte një burrë i sertë, që fliste një anglishte të pastër dhe që hidhte hapat me kokën ulur, thuajse vetëm mendonte dhe kurrë nuk fliste. Jeton dhe vepron akoma në Damask, ndonëse në moshë të thyer.)

Ai tregon se gjatë një udhëtimi në ShBA, ku Kryemyftiu ishte ftuar për të mbajtur leksione në disa universitete atje, një natë, pasi po hynin të lodhur në hotel, Hoxha e pyet: “A ka njeri, ta takojmë e të flasim me të?”

Dr. Akbik, i habitur ia kthen: “Zotëria im, unë jam i ri dhe jam lodhur, po zotëria e jote që është edhe në moshë, edhe i sëmurë..?!”

Duke buzëqeshur, Hoxha ia kishte kthyer: “Kam frikë, mos më pyet Allahu në ditën e llogarisë, për dikë që mund ta kisha takuar për ta ftuar në Islam.., se përse nuk e bëra!”

Ne jemi thirrës islamë, kemi detyrime pa fund ndaj shoqërisë sonë shqiptare, që e jeton Islamin prej shekujsh, në harmoni me shpirtin dhe kulturën që rrezatojnë ajetet dhe trashëgimia e të dërguarit të Zotit!

Sot, pas dekadave të lodhshme të mbushura me pezëm e gërryerje shumëllojshe në trupin e vetëdijes islame kombëtare, jemi këtu, jemi këta dhe, fatkeqësisht ky është realiteti ynë!?

Ne jemi thirrës islamë dhe detyra e jonë është të thërrasim popullin tonë në Islam; në fenë e baballarëvve të largët dhe atyre të afërt! T’i themi kujtdo që punon pa ndërprerje kundër kësaj Thirrjeje të shenjtë, se Islami është ajka e shpalljeve hyjnore, bashkimi i Ma të Mirëve nga shekujt e shkuar, garanci për të prodhuar modele të denja që i sigurojnë të sotmes dhe të ardhmes besimin me dije, moralin me ndershmëri, civilizimin me drejtësi, frikën e Zotit me dashuri, respektimin e shenjtërive me tolerancë, edukimin me logjikë, ruajtjen e paqes me pastërti, distancimin nga dhuna me dinjitet, humanizmin me respekt të origjinës njerëzore, mbrojtjen e të dobëtit me krenari, ndërtimin e urave të komunikimit me dialog etj.

“Kam frikë, mos më pyet Allahu në ditën e llogarisë, për dikë që mund ta kisha takuar për ta ftuar në Islam.., se përse nuk e bëra!”

Është e madhe kjo fjali.., më e madhe se krejt zhurmat që shkaktojnë përplasjet e pakuptimta që dikush i orkestron pas kuintave dhe në kurriz të së sotmes dhe të ardhmes së shoqërisë sonë dhe të mbarë njerëzimit..!?

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 27 shtator 2021