Meditime (76)

Mos u ndaj nga dhikri, jeto në qetësi!

Mos u ndaj nga dhikri, jeto në qetësi!

E shihni këtë pamje? E kam shkrepur vetë, ditën e djeshme. Ju ngjan me një ishull? Në fakt është një re kalimtare, në pamje të parë e papërfillshme për madhështinë e diellit në qiell të hapur, por ja që në një moment krejt papritur, ia ka zënë dritën dhe e ka fshehur pas vetes..!?

Kështu, të dashurit e mi, në momente të caktuara, gjëra të vogla me të cilat përballemi çdo ditë, në pamje të parë të papërfillshme, mund të na zënë ditën, të na e prishin atë, të na errësojnë zemrën, të na e njollosin atë, të na prishin humorin, të na ligështojnë qetësinë tonë, por jo vetëm!

Prandaj, mos të ndahemi nga istigfari dhe salavati në përditshmërinë tonë!

I pari fshin gabime e gjynahe, ruan nivelin e lartë të qetësisë shpirtërore dhe bëhet shkak për begatinë e vazhdueshme në jetë. Pra, të kërkosh falje me bindje: “Estagfirullah”.

Lexoni detajet e mrekullueshme të sures “Nuh”, që të kuptoni madhështinë e istigfarit në jetën tonë.

I dyti është garanci hyjnore për prehje shpirtërore, qetësi të brendshme, të rrethon nga bekimet hyjnore dhe kërkimi falje i melekëve për ty! Pra, të lutesh me zemër e bindje: “Allahume sali ala sejidina Muhamed ve ala alihi ve sahbihi”, a ngjashëm me këtë formulë.

Pa dyshim se ajetet e salavatit, përveçse vërtetojnë pozitën e lartë të Resulullahut (paqja e Zotit qoftë mbi të), na mësojnë edhe për mirësitë dhe përfitimet që ka njeriu që lifhet pas virdeve të lutjes së vazhdueshme për zotërinë e bijve të Ademit!

Me pak fjalë, mos u ndaj nga dhikri, jeto në qetësi!

Imam Muhamed Bardhyl Sytari
Shkodër, 19 tetor 2021