Allahu e mëshiroftë, të Mirin Haxhi Gani Berisha!

Allahu e mëshiroftë, të Mirin Haxhi Gani Berisha!

12 shkurti i këtij viti më zuri në St.Gallen të Zvicrës, ku një natë më parë, Bashkësia Islame Shqiptare “El-Hidaje”, organizonte një ceremoni madhështore kushtuar iniciativës së shumëpritur për ndërtimin e xhamisë së re të këtij qyteti.

Ishte hera e parë që në ceremonitë e dashura të “El-Hidajes”, mungonte baci Gani, ndonëse djemtë e nipat e mbesat e tij ishin aty, si për të dëshmuar besnikërinë e tyre ndaj tabanit të Babës dhe lidhjen e padiskutueshme me xhaminë dhe bujarinë!

12 shkurti i këtij viti ishte një ditë e ftohtë, ndonëse dielli me rrezet e tij, në bashkëjetesë të mrekullueshme me dëborën e mbetur cepave të rrugës dhe lulishtave, që i mbulonte me pelerinën e bardhë; nuk e thyente dot karakterin e acartë të asaj bardhësie rrezatuese…

Krejt ndryshe ishte atmosfera në kullën Berisha, ku baci Gani, si Diell rrezatues, dhuronte ngrohtësi e bekim, me fytyrën e qeshur dhe lutjet e zemrës, që ma kishte hapur kohë e kohë më parë e, që atë ditë, po ma dëshmonte, edhe si vulë e një miqësie e dashamirësie, që u lidh në krahët e xhamisë e, nga ai cak veçse u rrit e u rrit, duke u lartësuar nga pragu i kësaj bote drejt të përtejmes..!

As vdekja, që sot, e ndau bacin Gani prej nesh, nuk e preku dot gjurmën e tij, dritën e tij, dashamirësinë e bekimet e lutjeve të tij prindërore..!

Nga sot, vëllezërit e mi të shtrenjtë Bekim, Befrim e Burim Berisha, do ta ndjejnë peshën e rëndë të humbjes së Babës, por, do të jenë përherë e më shumë krenarë për kujtimin e mirë të Babës së tyre, që i ushqeu me hallall, i mëkoi me dashninë e Allahut dhe përkushtimin ndaj Tij, që i mësoi me shembullin e tij për të qenë besnikë të Shtëpisë së Allahut e shërbyes të saj deri në frymë të fundit!

Nipat e mbesat, do ta kujtojnë përherë me dashni gjyshin e tyre të mirë, fytyrëqeshur e mjekërbardhë, që i bekonte me sy e zemër, saherë bashkë, dilnin nga shtëpia drejt xhamisë, ku u rritën dhe u edukuan, nën mbikëqyrjen e vështrimeve të tij mëshironjëse!

Nga sot, xhemati shqiptar i “El-Hidajes”, do të ketë një sexhade më shumë, që qan në heshtje mungesën e besimtarit të mirë e të përkushtuar, që nga sot nuk do të shkelë më pragun e saj e, nga sot, nuk do të dëgjohen lutjet dhe përgjërimet e tij, mbështetur mbi atë prag toke fatlume..!

Allahu ta lehtësoftë këtë rrugëtim drejt përjetësisë, ta bëftë varrin bahçe prej lulishtave të xhenetit, të dhuroftë shefatin e të Dashtunit tonë, Hz. Muhammedit (a.s) dhe të lartësoftë në Firdeus!

Mirë u pjekshim në Ma të Mirin Vend, Bâc!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 12 shtator 2023