Kur flet Shejkh Ahmed Keftaro… (3)

“Një miliard e gjysëm muslimanë, për të cilët flasim, janë grupimi më i madh fetar në botë! Unifikimi i tyre sistematik ka ndodhur në duart e Resulull-llahut (a.s), i cili i mblodhi ata së bashku në një kible të vetme, në një mision të vetëm, në një Kur’an të vetëm, në një të dërguar të vetëm, në një adhurim të vetëm.

Këta një miliard e gjysëm janë dakort në 90% të çështjeve të fesë së tyre. Kushtet e Besimit, tek mbarë ymmeti janë: besimi në All-llah, në melekët e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij dhe në jetën e përtejme. Edhe kushtet Islamit, poashtu: dëshmia se nuk ka zot tjetër, pos All-llahut dhe se, Hz. Muhammedi (a.s) është rob dhe i dërguar i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe haxhi. Këto janë çështje konsensuale në mesin e muslimanëve!

Bota perëndimore ka divergjenca në njëmijë fytyra; në kulturë, në gjuhë, në etni, në fé etj, por kapet fort pas asaj që konsiderohet si pikë konsensuale, për realizimin e interesave!?

Pra, çudia e çudive është me një ymmet, që ka të përbashkët kiblen, adhurimin, Librin e Zotit, traditat e të dërguarit të vet, pastaj nuk gjen rrugët e mjaftueshme drejt realizimit të unifikimit të tij!?

E kam deklaruar edhe më parë, në qëndrime të shumta, se jam kundër termit “afrim medhhebesh islame”; sepse afrimi ndodh në mesin e të larguarve dhe pakësimin e divergjencave në mesin e armiqve!? Dhe, unë ndjej se, kjo gjë nuk përputhet me medhhebet islame, të cilat bien dakort në më shumë se 90% të qëllimeve, objektivave dhe mjeteve të tyre. Unë mendoj se afrimi, është një fazë e tejkaluar prej kohësh!

Unë thërras për unifikimin e plotë në mesin e muslimanëve, në rrafsh intelektual, edukativ, në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes, në krahët e ajetit kur’anor: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut, e mos u përçani!” – (Kur’ani, Ali Imran: 123)

Njëkohësisht dua të theksoj se, thirrja e unifikimit islam, nuk duhet drejtuar nga eliminimi i medhhebeve juridike islame, pasi ato janë kredo e madhe intelektuale e ymmetit islam! Ato janë shfaqje prej shfaqjeve të mëshirës së All-llahut të Madhëruar, siç thoshte edhe kalifi i urtë Omer ibn Abdulaziz: “Nuk do të doja që sahabët e Resulull-llahut të mos kishin diversitet mendimesh! Sikur të mos kishin këtë diversitet, nuk do të ishte kjo hapësirë e gjerë dhe kjo mëshirë!”…”

Përktheu nga arabishtja, nga libri i gazetarit Imad Neddaf:
“Esh-Shejkh Ahmed Keftaro jetehaddeth”, botimi i dytë,
Damask, 2003, f. 312-313 dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 13 gusht 2016