Sot ishte një ditë e lodhshme, e mbushur me detaje dhe stacione, që ftojnë për meditim e reflektim… Se, xhanëm, kur raca njerëzore të humbasë sensin e reflektimit rreth asaj që ngjet përreth njeriut dhe jetës së tij, atëherë, mundesh me plot gojë të thërrasësh, me sa forcë të kesh: “El-Fatiha”, për shpirtin e NJERIUT dhe jetës së tij!
Mëngjesi i sotëm në Shkodër erdhi gri, i zymtë, i egër, i ftohtë dhe aspak normal. Xhamia e Madhe e Shkodrës, u gdhi me një derë të shkallmuar nga ca mjeranë meskinë, që na u tha se kishin hyrë për të grabitur ca qindarka arkash… (Ishin treguar edhe me namuz, kishin hequr këpucët te dera e deformuar nga levat e tyre..!?)
Sot, vendadhurimi kryesor i Shkodrës, ai i komunitetit më të madh fetar në kryeqendrën e Veriut u dhunua, duke sinjalizuar kështu se, mjerimi dhe skamja, antivlerat dhe urretja e mbjellur prej kohësh në këtë vend, janë përherë të gatshme të prodhojnë terror dhe radikalizëm realitetesh sociale meskine, dekadencë morale dhe përhumbje kolektive!
Por, nga ana tjetër, kjo ngjarje sikur i uli paksa veshët e ngritur dhe fytyrat e nxira të disa kalemxhinjve, që ditë pas dite mbjellin urrejtjen e tyre primitive kundër Islamit dhe muslimanëve, duke sulmuar xhaminë “Ebu Bekër”, pozitën e saj, madhështinë, rrezatimin që përhap ditë pas dite…
Sot, heshtën “arkitektët”, që bëjnë analizat e tyre bajate të projektit të xhamisë dhe arkitekturës së saj “demode”, në mes të Shkodrës?!
Sot, heshtën ata që bëjnë “sondazhe”, se sa vetë hyjnë e dalin në xhaminë e Madhe dhe, të cilët qahen e lëpihen ditë pas dite për lulishten e saj, vakëfin e shenjtë të bamirësit të madh qytetar shkodran, Çel Zylyftari, (që të paktën, si mirënjohje qytetëse, duhet ta kishte një shtatore, diku aty afër xhamisë mbi vakëfin e tij të shenjtë…), këtu, në Shkodrën e kulturës, mirënjohjes dhe bamirësisë..!?
Sot, heshtën edhe ata, që mundohen të na e prezantojnë Shkodrën si një tabllo bardh e zi, pa shpirt e pa nuancë artistike, pa muzë e pa prekje mistike, pa bardhësi shpirti e pa ezan minaresh të bardha shekujsh, që lëkundin errësirat e kalcifikuara në zemra katrane..!?
Heshtën! Dhe, mirë bënë që heshtën! (Vetëm për sot, ama…)
Por sot, bashkë me imamët, mora një zotim, me dorë në Kur’an…
U betova në All-llah, me sytë nga xhamia “Ebu Bekër”, nga pozita e saj, nga pozita e jonë si muslimanë në këtë qytet, nga pozita e Thirrësit Islam..!
Sot, u betova në All-llah, për Xhaminë “Ebu Bekër”!..
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 8 nëntor 2016