U gëzova pa masë, kur pashë gjithandej libra dhe autorë, të rinj e të reja (kryesisht), që ia shtonin ngrohtësinë këtij ambienti të shumëdëshiruar për disa…
U ndala tek disa Shtëpi botuese, librat e të cilave janë vlerë e shtuar për njerëzit e dijes, për studiuesit dhe lexuesit në përgjithësi.
Logos-A, spikat me shumësinë e botimeve, ku më tërhoqën vëmendjen disa prej tyre, si: “Paqja osmane”, nga Ilber Ortayli, “Qytete dhe qytetërime”, nga Ahmet Davutoğlu, “Marrëdhëniet ndërfetare në Kosovë (1990-2010), nga Orhan Bislimaj, “Letrat e zonjës Mary Wortley Montague”, “Kelileja dhe Dimneja – dy çakejtë”, nga Abdullah El-Mukafea, përkthimi i shumëdiskutuar i Kur’anit nga Muhammed Asadi etj.
Më ngrohu edhe prezantimi përherë në rritje i botimeve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku vlen të përmendet nisma e mbarë për ribotimin e veprave të hoxhallarëve tanë të shkuar, si: Hafiz Ali Kraja, Hafiz Ibrahim Dalliu etj.
Natyrshëm, veprat e tyre lexohen me shumë kënaqësi të madhe edhe sot e kësaj dite, duke dhuruar në çdo çast emocione pozitive, që shkaktojnë procese të dobishme qartësimi në raport me frymën e besimit dhe vlerat kombëtare mbi baza të shëndosha qytetare e besimore, tek çdo lexues.
Ia vlen të vizitohet panairi i librit, të merret erë librash e të mbushesh me frymë dijeje, kulture e besimi, që të sotmes i dhurojnë garanci, individit i falin paqe e, shoqërisë, qetësinë e munguar…
M’u kujtua panairi i librit në Damask. Normal, është dallim i madh, si nata me ditën, ai në mes dy panaireve të dy kryeqyteteve në fjalë. Ai i Damaskut qëndron si planet i madh dijeje, zhvillimi e kulture, përballë panairit të librit në Tiranë.
Por, përherë ka vend për t’u gëzuar e për të përfituar nga panairet e librave, sado të vobekëta që të jenë…
Ku ka libra të dobishëm, ka gjurmë shprese…
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 10 nëntor 2016