Me bardhësinë rrezatuese të dijetarit, Shejkh Jusuf El-Karadavi

Sapo dëgjova bashkëbisedimin e plotë të dijetarit më të shquar islam të kohës tonë, Shejkh Jusuf El-Karadavi, (President i Unionit Botëror të Dijetarëve të Muslimanëve), me thirrësin e afirmuar dhe studiuesin e urtë, Dr. Selman El-Audeh, zhvilluar para pak ditësh.

Më 9 shtator 2016, Shejkh Jusuf El-Karadavi, ka festuar 90 vjetorin e lindjes. Megjithatë, ai dëshmon se, ende sot, pjesën më të madhe të kohës së tij e kalon në studion e tij, në Doha të Katarit, ku del rret orës 10.00 dhe kthehet në shtëpi diku pas mesnatës…

Ai thotë: “Dua t’i lë të shkruara disa gjëra para se të largohem nga kjo botë. Dua të garoj me kohën, por ajo është më e shpejtë se unë…”

Thotë se, rreth 80% e enciklopedisë së tij në 50 vëllime të mëdha, thuajse është përfunduar…

Bashkëbisedimi i natyrshëm, rrjedh aq bukur, sa mendoj se krejt thirrësit islamë dhe të interesuarit e botës tonë, duhet ta ndjekin, ta dëgjojnë e të mësojnë nga një njeri i madh, por i thjeshtë, i mbushur me eksperienca e sprova, që e kanë kthyer në simbol…

Shejkh Jusuf El-Karadavi ka studiuar Usuludin, Sheriat dhe Gjuhë Arabe në Ezherin Sherifë, ku ka spikatur i pari në rezultate, në brezin e tij…

I lidhur me xhematin e “Vëllazërisë Islame”, por i shkëputur nga obligimet dhe detyrimet ndaj tij, që prej 20 viteve, siç e deklaron edhe në bashkëbisedimin e lartpërmendur, ai qëndron mbi xhematet dhe organizimet lokale e përtej tyre.

Vlerëson zhvillimin e Turqisë së sotme dhe gjykon se dallimi ndërmjet saj dhe vendeve arabe, është se Turqia ka burra dhe vendet arabe, jo! Sikurse dënon përfshirjen e xhemateve që hyjnizojnë prijësit e tyre dhe bëhen shkak për trazira në vende, popullata e të cilave e ka zgjedhur vetë rrugën e saj të demokracisë dhe zhvillimit përpara.

Shejkh Jusuf El-Karadavi, fal publikisht krejt ata që e kanë sulmuar, e kanë fyer, sharë a lënduar në jetë, duke u lutur që All-llahu t’i udhëzojë e t’i drejtojë në jetë. Njëkohësisht nuk heziton të kërkojë falje e ndjesë nga kushdo që, ndonjëherë, mund të jetë ndjerë i lënduar prej tij.

Subhanallah, me sa kënaqësi e ndoqa këtë bashkëbisedim…

Sa emocion ndjeva në përgjigjen e pyetjes: “A je i frikësuar nga takimi me All-llahun?”, kur, i ngarkuar emocionalisht, Shejkh Karadavi u përgjigj: “Po, kam frikë nga takimi me All-llahun, sepse jam shumë i gabueshëm, por kam shpresë në faljen e Tij…”

Dijetar dhe burrë i madh, që mban mbi supe hallet e 1 miliard e 800 milion muslimanëve të botës sot, për të cilët lutet që të bashkohen, të rikthehen tek lavdia e shekujve, të gjejnë rrugët e bashkimit dhe forcimit për të mirën e krejt njerëzimit.

Në fakt, këto shënime i nisa për të shënuar një detaj, që përtej shumë ndalesave, më bëri shumë përshtypje. Fakti që sot, dijetari më i madh i botës islame, lideri fetar kryesor i botës islame, është i ndaluar të hyjë në vendet e Evropës dhe në Amerikë… Sa paradoks i madh dhe njëkohësisht, sa detaj mjeran, që vërteton shumë e shumë…

Dhe, kur e mendon…

Por, përtej këtij detaji kalimtar e pa asnjë kuptim në jetën thuajse shekullore të dijetarit elitar botëror. Shejkh Jusuf El-Karadavi, ai vazhdon të punojë pa ndërprerje, ditë-natë, që ky shekull të dëshmohet realisht si shekulli i Islamit!

Dhe shenjat janë, duken prej kohësh… Elhamdulilah!

Kjo, ndoshta, është thirrja më kuptimplote, që duhet të zgjojë thirrësit e së vërtetave drejt sakrificave, lodhjes e mundit, pagjumësisë e vrapimit drejt realizimit të sihariqit të shtrenjtë: “Do të mbërrijë kjo fé, ku ka mbërritur nata dhe dita!”…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 21 nëntor 2016