Nxitja për ruajtjen e gjuhës…

NË KUR’ANIN FAMËLARTË

All-llahu i Madhëruar thotë: “Është e sigurtë se kanë shpëtuar besimtarët. – Ata të cilët janë të përulur dhe janë të kujdesshëm gjatë faljes së namazit. – Edhe ata të cilët i shmangen të kotës (fjalë a punë).” – (Kur’ani, El-Mu’minune: 1-3)

Fjala “el-legvu”, “e kota (në fjalë e punë)”, ka për qëllim çdo gjë që nuk sjell dobi, as për trupin, as për nefsin, as për shpirtin, as për mendjen.

Kjo do të thotë se besimtari nuk e zë kohën e tij me diçka, prej së cilës nuk ka dobi në jetën e tij të kësaj bote, as në jetën e përtejme.

Teksa përshkruan “robët e Mëshiruesit”, i Madhëruari thotë: “Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të kotës (el-legvu), kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.” -(Kur’ani, El-Furkan: 72)

Poashtu thotë: [Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie, i kthejnë shpinën dhe thonë: “Ne kemi vepra tona e ju tuajat, qofshit larg nesh, ne nuk na duhen injorantët!”] – (Kur’ani, El-Kasas: 55)

Gjithashtu, i Madhëruari na sqaron se vetë fjala është e padobishme, veçse kur është për një dobi të përgjithshme, a të veçantë: “Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e All-llahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.” – (Kur’ani, En-Nisa: 114)

Zoti i Madhëruar na ka lajmëruar se pranë çdo njeriu ka melekë, të cilët regjistrojnë veprat e tij, sikurse regjistrojnë fjalët e tij, në mënyrë që njeriu ta kontrollojë veten e tij, të mendojë para se të flasë: “Janë shkrues të ndershëm tek All-llahu. – Ata e dinë se çka punoni.” – (Kur’ani, El-Infitar: 11-12)

NË TRADITËN PROFETIKE

Janë të shumta hadithet profetike që nxisin ruajtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e saj nga rrëshqitjet. Në vijim po përmend disa prej tyre:

1. Transmeton Ebu Musai (a.s): [I thashë: O i dërguar i All-llahut, kush prej besimtarëve është më i miri? Tha: “Ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të shpëtuar muslimanët!”] – (Bukhariu, Muslimi dhe Nesaiu)

2. Transmeton Abdull-llah ibn Amr ibn El-As (r.a) se Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Musliman është ai, prej gjuhës dhe dorës së të cilit kanë shpëtuar muslimanët. Ndërsa muhaxhir është ai që largohet nga ndalesat e All-llahut!” – (Bukhariu dhe Muslimi)

3. Transmeton El-Berra ibn Azib (r.a), se një arab erdhi tek i dërguari i All-llahut (a.s) dhe i tha: [Ja Resulall-llah, ma mëso një vepër që të më fusë në xhennet! – Ia ktheu: “I shkurtove fjalët dhe e përsose kërkesën tënde! Liro një frymë, lëre të lirë (një skllav) e, nëse nuk mundesh ta bësh këtë, ushqe të uriturin, jepi të pijë ujë të eturit, urdhëro për mirë dhe ndalo të keqen e, nëse nuk mundesh ta bësh këtë, mbaje gjuhën tënde, veçse për mirë!”] – (Ahmedi, Ibn Hibbani në “Sahihun” e tij dhe Bejhekiu) Etj.

Përktheu nga arabishtja, nga libri me titull:
“Mbrojtja e besimit nga rrëshqitjet e gjuhës”,
i dijetarit të shquar, Shejkh Muhammed Edib Kelkel (1934-2016)
dhe përshtati në shqip
Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 11 maj 2016