
Ditën e sotme përjetova një ndjenjë të çuditshme dhembjeje, teksa shihja ca fëmijë të mitur, të zbathur, të leckosur, të palarë, të shpupurishur e pluhurosur, teksa luanin në “lagjen” e tyre, diku bri kalasë së Shkodrës, përballë lagjes së vjetër, Bahçallëk.
Mbanin të lidhur me një fije të trashë të çeliktë, a ngjashëm me të, një këlysh të vogël qeni. Edhe ai i gjori dridhej nga të ftohtët e ditës së sotme, ndonëse ishte ditë me diell…
Hodha sytë përreth, ç’të shihja… Ç’të shohësh në këtë “lagje” pa emër, a koloni bujtinash të improvizuara nga çdo gjë e hedhur tutje… Plasmasa, hekura të ndryshkur, susta shtretërish jashtë përdorimi, rrota biçikletash pa emër firme, shkopinj, copa llamarinash, lavatriçe jashtë funksioni, kolibe makinash pa rrota, grumbuj plehrash, grumbuj qenjsh të hajthëm e thatanikë, mace të strukura dhe… një manjetofon kushedi ku i fshehur, prej ku buçiste me tërë volumin e mundshëm një këngë e hareshme, ku kuptoheshin fare mirë thirrjet rënkuese e dëshpëruese: “Oooo, ohhhoooo…”, tamam si vetë pamja e mjerë e kësaj tablloje të gjallë me qenie njerëzore…
U ndala pak dhe mendova. Fundviti 2016. Shkodër. Shqipëri. A është vallë kjo pamje, imazh real a sureal i gjendjes së vërtetë të vendit tonë sot, në këtë mot të çuditshëm?
A ka humbur ndjenja e humanizmit, e përkujdesjes për njeriun, nga vetë njeriu me pushtet, me moral, me pasuri, me besim, me qytetari?
A po bëhet normale të shohësh sot, në këtë vend të bekuar nga Zoti e të mallkuar nga robi i paudhë; padrejtësi, skamje, mjerim, varfni, indiferencë, neglizhim e moskokçarje përballë të vërtetave të hidhura, që njerëzit i vuajnë mbi kurriz, ditë pas dite, shpesh në heshtje?!
Para ca ditësh vizituam një familje të sfilitur nga skamja e mjerimi, në një rrethinë krejt afër Shkodrës. Rruga drejt saj, veç për njerëz të këtij shekulli nuk mund të ishte, realitetet përreth, poashtu…
Sa e sa familje të tilla ka në këtë qytet. Sa e sa ka në mbarë Shqipërinë. Shtimi, përditë e më shumë i shoqatave bamirëse, i njerëzve që japin, (dhe, sa mirë bëjnë, All-llahu i shpërbleftë pa kufi), nëse vërteton diçka, vërteton se ky vend i begatë është zhytur gjithandej në skamje e mjerim, zullum e largim nga rruga e së mbarës!
Sot, diku larg qytetit tim u shua një familje, në formën më katastrofale e të papranueshme për njeriun e këtij shekull. (Ndoshta, realisht, njeriu i këtij shekull po e dëshmon veten, përherë e më primitiv e më të dhunshëm edhe ndaj vetë shenjtërisë së jetës!)…
Kush ka faj për këtë? Të gjithë pa përjashtim, e secili sipas peshës së përgjegjësisë që ka mbi supe, për të cilën do japë llogari në një ditë, kur ca fytyra do të zbardhen e ca të tjera, jo, fatkeqësisht…
Deri atë ditë të largët, shumë të largët, ne si shoqëri kemi nevojë të menjëhershme të zgjohemi nga koma e papërgjegjshmërisë qytetare, asaj besimore, kombëtare e humane, në rrugën e ndryshimeve të mëdha, që nisin nga vullneti për të rregulluar vetveten.
Një vend që përpëlitet mbrapsht e keq në krahët e shthurrjes, varfërisë, mjerimit, korrupsionit, padrejtësisë, mosbesimit e pasigurisë, ka nevojë të madhe për besim, për udhëzim, për dashninë e Zotit e frikën e Tij, që të mos jetë e nesërmja e jonë dhe e fëmijë e tanë një xhungël më e frikshme dhe e pashpresë, sesa e sotmja e dhimbshme!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 5 dhjetor 2016