Ve eshhedu enne Muhammeden Resulull-llah…

Ripërtëritja e përkujtimit të përvitshëm të Lindjes së Begatë të Ma të Mirit e Ma të Dashtunit (a.s.), jetës së tij, mesazheve, moralit e shembullit, na bën mirë të gjithëve.

Mbi të gjitha na e rifreskon e rikujton madhështinë e dëshmisë: “Ve eshhedu enne Muhammeden Resulull-llah”, na afron edhe ma shumë me thelbin e saj, na përkujton bekimin e Zotit mbi ne, teksa përzgjodhi që ne të jemi muslimanë, pasues të Zotërisë së bijve të Ademit…

Na bën krenarë historia e Ma të Dashtunit (a.s.), jeta e tij, marrëdhëniet e tij shoqërore, durimi i tij, altruizmi, dashuria, mëshira e dhembshuria ndaj Njeriut; kushdo qoftë Njeriu…

Sot, kur ezani i minareve, qendrave e shtëpive, mbështjell globin me pelerinën e padukshme të bekimeve mbi botë, trazirat dhe humbja e qetësisë globale e kanë një shërim! Varfëria dhe skamja e kanë një balsam! Injoranca dhe analfabetizmi e kanë një zgjidhje! Politikat e dështuara ekonomike dhe sistemet e dështuara në drejtësi e kanë një alternativë! Shkelja e popujve të izoluar dhe të pambrojtur e ka një shkëndijë shprese! Padrejtësia dhe egoizmi e kanë një rrugë kurimi! Kjo botë e lodhur nga devijimi i Njeriut e ka një prag shpëtimi; Dëshmimin me të madhe: “Ve eshhedu enne Muhammeden Resulull-llah”…

Njerëz të mirë, trokisni dyerve të Dëshmisë, paqtohuni e mos i shuani shpresat!..


Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 6 dhjetor 2016