Dr. Mervan Shejkhulerd në veprën e tij: “Historia Profetike – Themelet thirrëse dhe civilizuese”, (Damask, 2000), në kapitullin e Lindjes dhe fëmijërisë së Hz. Muhammedit (a.s), shkruan:
“Librat qiellorë kishin dhënë sihariq për shfaqjen e një të Dërguari me emrin AHMED, që do të ishte Vula e të Dërguarve dhe thirrësi drejt fesë së Vërtetë. Dhe, koha e tij ishte afruar.
Pasuesit e Hebraizmit dhe Krishtërimit e prisnin Lindjen e tij të Begatë. Murgjërit flisnin për tiparet dhe cilësitë e tij dhe kërkonin për vendin dhe kohën e shfaqjes.
Zotërinjtë e Kurejshëve e prisnin këtë të Dërguar nga trashëgimtarët e Ismailit (a.s), veçanërisht nga dega e Ka’b ibn Luejit.
Ngjarjet e kohës i kishin mbërthyer pas dilemave, sikurse ndodhitë e Mekës po u tërhiqnin vëmendjen përherë e më shumë. E fundit ngjarje, ishte ndodhia e Ebrehesë dhe elefantit të tij, i cili pësoi nga All-llahu, zogjtë Ebabilë, që kthyen mbrapsht pushtimin e padrejtë të Bejtullahut (Qabes) dhe popullit të tij të sigurtë.
Ndjenjat e krenarisë dhe fisnikërisë nisën të zgjoheshin në zemrat e popullit, që u përmend duke dëshiruar të shihte lavdinë…
Dikush u ngrit ta kërkonte duke vrapuar drejt saj, si Zejd ibn Amr dhe Vereka ibn Neufel, teksa bota përreth arabëve vlonte nga kriza dhe përplasja, nga armiqësia dhe urrejtja.
Nuk kishte fé që i kthente, as udhëheqës t’i drejtonte në brigjet e paqes, dashurisë dhe vëllazërimit…
Krejt udhëheqësit e mëdhenj ishin të zënë me madhështinë personale; despotë para masave, skllavërues me pushtetin…” – (vëll. i parë, f. 31.)
Sa ngjashëm me kohën tonë më erdhën këto rreshta…
Ndërkohë, përkujtimi i kësaj Lindjeje të Begatë dhe rivlerësimi i vetë të Dërguarit (a.s.) dhe Fesë së tij, në mes nesh dhe për mbarë botën, është shpresa e vetme e ngelur… Retorikat e tjera janë disqe gramafonësh të dëshmuar, të provuar e të dështuar…
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 7 dhjetor 2016