
Po lexoj sonte, një përmbledhje të haditheve të Imam Bukhariut, një botim i realizuar nën mbikqyrjen shkencore të dijetarit të shquar damasken, Dr. Mustafa Díb El-Bugha, (botimi i 3-të, Damask, 1988).
Janë 2134 hadithe, të ndara në 98 kapituj, prej ku kam dëshirë të lexoj bashkë me ju disa prej fjalëve të urta të Hz. Muhammedit tonë të shtrenjtë, bekimet e All-llahut qofshin mbi të.
1- Transmetohet nga Ummi Kulthum bint Ukbe (r.a), e cila ka dëgjuar Resulull-llahun (a.s), që thoshte: “Nuk është gënjeshtar ai që pajton në mesin e njerëzve, teksa përflet të mirën, a flet mirë”. – (kapitulli i Pajtimit, hadithi nr. 1126)
2- Transmetohet nga Sehl ibn Sa’d (r.a), se banorët e Kubasë u përplasën në mes vete, sa nisën të gjuajnë njëri-tjetrin me gurë. Për këtë u lajmërua Resulull-llahu (a.s), i cili tha: “Ngrihuni, të shkojmë e t’i pajtojmë”. – (kapitulli i Pajtimit, hadithi nr. 1127)
3- Transmetohet, se Ebu Bekrete (r.a) tha: [E kam parë Resulull-llahun (a.s) në minber, teksa Hasani, i biri i Aliut i qëndronte pranë. Një herë i drejtohej njerëzve e, një herë sillej nga ai (nipi i tij, Hasani -M.S.-) dhe thoshte: “Ky, djali im, është Sejjid (zotëri), me të cilin, All-llahu mund të pajtojë dy grupe të mëdha prej muslimanëve”]. – (kapitulli i Pajtimit, hadithi nr. 1129)
4- Transmetohet nga Nana e jonë Aishe (r.a), që thoshte: [Dëgjoi një ditë Resulull-llahu (a.s), zërin e një grindjeje afër derës. Zërat e tyre lartësoheshin, kur njëri i kërkoi borxhin dikujt e, ky, nga ana e tij iu lut t’ia falte një pjesë. Por, kërkuesi ia ktheu: “Jo, pasha All-llahun, nuk e bëj!” Në këtë moment doli Resulull-llahu (a.s) dhe tha: “Ku është ai që betohej me të madhe se nuk do të bënte mirë?” – Personi në fjalë, ia ktheu: “Unë jam, o i Dërguar i All-llahut dhe, borxhliu im të veprojë si të dojë!”]. – (kapitulli i Pajtimit, hadithi nr. 1130)*
* Pra, me ndërhyrjen e tij për t’i qetësuar e pajtuar, Resulull-llahu (a.s), ia arriti qëllimit. (M.S.)
5- Transmetohet nga Xhubejri (r.a), se ai e kishte dëgjuar Resulull-llahun (a.s) të thoshte: “Nuk do të hyjë në xhennet ai që shkëput (lidhjet farefisnore)”. – (kapitulli i Mirësjelljes, hadithi nr. 1916)*
* Pra, nuk do të hyjë në xhennet, përpara se të llogaritet dhe të ndëshkohet për shkëputjen e tij të lidhjeve farefisnore… (Nga shpjegimi i dijetarit, Dr. Mustafa Díb El-Bugha, f. 663)
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 11 dhjetor 2016