Është vërtetë mahnitës fakti se sa bukur i është kënduar dashnisë së Resulull-llahut (a.s) në gjuhën tonë të bukur shqipe, gjatë shekujve.
Hoxhallarë, shehlerë, medresistë, intelektualë e besimtarë të zakonshëm, i kanë dedikuar zotërisë së bijve të Ademit, vargjet më të bukura të dala nga zemra e djegur nga malli i tij (a.s).
Janë vargje të shumta, që presin të studiohen e të analizohen me hollësi, për të evidentuar nëpërmjet tyre tiparet e shpirtit të pastër të Islamit tek shqiptarët, por edhe për të vërtetuar madhështinë e kësaj dashnie të sinqertë për Hz. Muhammedin (a.s), që shqiptarët i kanë kënduar me pasion e dritë shpirti.
Po përmend sa syresh, sa për kujtesë e si një ripërtëritje e asaj dashnie e malli, edhe në të sotmen.
1.
“… Bota n’errsine vijonte,
Ndonji Diell kund s’u shifte,
Gjithesín qi ta ndriçonte,
E verteta mos t’u mshifte.
Njerezija me gojë hapet
Rrinte, gjithnji ne mendim,
Vallë, si kurse shkruejnë qitabet,
Kur kishin me gjetë shpetim?
Dijetaret pam’ e kishin
Ne Ungjill e ne Teurat
Nji Profet ata po pritshin,
Kishte bâ Zoti murat.
Emni i bukur vet Ahmet,
Neper librat figuronte,
Po kur erdhi ne ket jet,
Zoti -Muhammed- i thonte.
…
Kur ka lé aman, O Zot!
Sa gëzim i madh u bâ!
Krejt i than tue derdhun lot:
Mirse erdhe, merhabá!
Mirë se vjen, O robi i Zotit,
Edhe mâ i dashtun’i Tí,
Mirë se vjen, O Hyll i motit
Nuri i Zotit Ti je, Ti!..” – (Hysni Bushati, medresist shkodran, Tiranë, 1932)
2.
“Muhammedi ‘jonë,
Ai âsht i madhi ‘jonë, (2 herë)
Gzimi âsht për ne,
Që i kemi prû iman. (2 herë)
Sal-li ja rabbena
Alen-nuril-mubin
Ahmedun Mustafa,
Sejjidul-murselin…” – (nuk i kam gjetur autor, por është ilahi e njohur, që vazhdon të këndohet në Shkodër)
3.
“57. Qoftë salati mi Pejgamberin – njashtu edhe qoftë selâm
58. Ja rabbi rahmet ban mi né – anxhak me kerem Tând
59. Ja rabbi t’lutena dit e nât – mos me na dâ pej shefatit
60. Atij zotni Mustafâs – n’at ditën e aresâdit
61. N’aresat qi kem me shkue – haber ka pej Perendís
62. Pej vorreve qi kem mu çue – hem pej atij Resulit
63. Zotin Nji qi ke besue – Pejgamberin n’e bân tasdík
64. Çili sýt sa t’jesh mu mundue – n’ahiret mos shko fasik
65. Në dynja kêm ardhë na t’ngrâtë – për ahiret mu mundú
66. Pejgamberit itâat – n’ka mendim n’mahsher me shku
67. Kjo kaside â marûe – pej Zotit tuj lyp teufík
68. Kudo qi t’kemë gabue – rexhâ baj me mu gadít…” – (Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943), në disa nga vargjet e njërës prej Ilahive të tij të gjata, të shkruara shqip me alfabet arab. Veprën e tij e kam gjetur rastësisht para disa vitesh, e kam transkriptuar, po e studioj dhe po e përgatis për botim, inshallah)
Ajo që më nxiti të shkruaj këto rreshta, është domosdoshmëria e mosdevijimit nga tabani i marrëdhënies sonë shekullore me fenë tonë, si dhe ruajtja me fanatizëm legjitim, i shijes së hollë kombëtare në trajtimin e kësaj dashnie dhe transparence shpirtërore të mrekullueshme.
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 12 dhjetor 2016