Është e pamundur ta vizitosh e të mos tërhiqesh pas këtij vendi të paqtë, edhe pa e njohur në thellësi dhe detaje historinë e tij…
Ka një frymë të padukshme, krejtësisht transparente, që të përshkon qenien, teksa shkel mbi këtë tokë…
Hapësira e madhe e saj, pozita gjeografike, mali, deti, terreni thuajse malor, gjelbërimi me shumëllojshmërinë e florës, e shumë detaje të tjera të ngulitura në memorie, e bëjnë të lakmueshme për t’u vizituar sërish, edhe pse je larguar prej saj…
Emri i kësaj toke, është emër i madh. Peshon rëndë dhe, madje, nuk ka të peshuar.
Në vetvete, ky emër mbart në vetvete një histori të madhe lavdie, sakrificash sublime, vetëmohimi e shtrëngim duarsh të shumta për një qëllim të shtrenjtë.., një qëllim që u kthye në histori mrekullie, me bekimet dhe përkujdesjen hyjnore të Zotit të gjithësisë…
Sot, u ula në gjunjë mbi këtë tokë të begatë! Ndjeva një emocion të madh, teksa prekja një nga simbolet e saj, mbi të cilin ishte shkruar emri i Shkodërloces së shtrenjtë, që i fali ymmetit, në ditët e tij më të vështira dhe vendimtare, djemtë e saj më të mirë, në mbrojtje të dinjitetit, krenarisë, historisë së shekujve plot dritë teuhidi, paqeje, sigurie e drejtësie..!
Sot, u ndjeva krenar dhe i fortë, teksa lexoja emrat e nderuar të shehidëve të panumërt, nga Shkodra, Elbasani, Dibra, Mitrovica, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Tetova e, sa e sa qytete shqiptare e nga mbarë trojet e ymmetit…
Sot, nga kjo tokë përhapej kudo drita e pashuar e lavdisë së martirëve të dinjitetit e krenarisë legjitime të këtij besimi, kësaj feje e këtij humanizmi të bekuar islam!
Sot, mesazhet që përhapeshin gjithandej në hapësirat e Çanakalesë, rrezatonin shpresë ripërtëritjeje, rizgjimi e rimëkëmbjeje të një ymmeti, që Zoti e zgjodhi të jetë “Dëshmitar i Njerëzimit”… Sikur thonin: “Ky ymmet ringrihet mbi kujtesën e së shkuarës!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Çanakale, më 18 dhjetor 2016