“Ka thënë All-llahu i Madhëruar…”

Sot, kam dëshirë të përqendrohem tek një bllok hadithesh kudsije, që kanë në thelb të tyre tërheqjen e vëmendjes që na bën Zoti i gjithësisë, nëpërmjet disa porosive të shtrenjta, që na i përcjell nëpërmjet Resulull-llahut (a.s).

Termi: “hadith kudsi”, ka të bëjë me: [një grup hadithesh profetike, që i Dërguari (a.s) i transmeton nga All-llahu i Madhëruar, nëpërmjet shpalljes, frymëzimit a ëndrrës. Ato fillojnë me shprehjen: “Ka thënë All-llahu i Madhëruar…”, ose: “Thotë All-llahu i Madhëruar…”] – (Kemal El-Ebjani, verifikuesi i enciklopedisë së Haditheve Kudsije të Sakta, të Imam Ebul-Hasen Nuruddin Ali ibn Sulltan Muhammed (v. 1014 h.), botimi i parë, Bejrut, 1993, f. 3, në parathënie).

Dhjetë hadithet e përzgjedhura për sot, janë pjesë e përmbledhjes me hadithe të dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).

Hadithet e këtij blloku, nisin me fjalën e të Dërguarit (a.s): “Ka thënë All-llahu i Madhëruar…”.

1. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Më ka sharë i biri i Ademit, njëkohë që nuk i takon të më shajë dhe, ka gënjyer për Mua, njëkohë që nuk i takon të gënjejë! E, përsa i përket sharjes së tij, ajo qëndron në fjalën e tij se, Unë “kam djalë”, ndërkohë që Unë jam All-llahu, i Vetmi, Mua më mbështetet çdo gjë, nuk kam lindur njeri dhe nuk jam lindur prej kujt dhe, askush nuk është i barabartë me Mua! Ndërsa gënjeshtra e tij për mua, ajo qëndron në fjalën e tij: “Zoti nuk do më ringjallë, siç më ka krijuar!” Fillimi i krijimit nuk është më i lehtë për Mua sesa ringjallja e tij!”] – (Hadithi nr. 6014. f. 373. Ahmedi, Bukhariu dhe Nesaiu, nga Ebu Hurejra).

2. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Kur robi Im niset të bëjë një të mirë dhe nuk arrin ta veprojë atë, do t’i shkruhet një e mirë. E, nëse ai e vepron atë, do t’i shkruhen dhjetë të mira deri në shtatëqindfish. E, nëse niset të bëjë një të keqe dhe nuk arrin ta bëjë atë, nuk do ta shkruaj kundër tij. E, nëse e vepron atë, do t’ia shkruaj si një të keqe kundër tij!”] – (Hadithi nr. 6017, f. 373. Bukhariu, Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ebu Hurejra).

3. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “O robët e Mi, Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë, e kam ndaluar edhe në mes jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit…”] – (Hadithi nr. 6020, f. 374. Muslimi, nga Ebu Dherri).

4. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Jep, të të jap!”] – (Hadithi nr. 6023, f. 374. Ahmedi, Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra).

5. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Më lëndon i biri i Ademit, teksa shan kohën! Unë e organizoj kohën; në dorën Time është çdo gjë, e përsëris natën dhe ditën!”] – (Hadithi nr. 2064, f. 374. Ahmedi, Bukhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Et-Tibi: “Lëndim, quhet mbërritja e një dëmi tek tjetri, edhe nëse ai nuk ndikon gjë tek i lënduari. Ndërsa “lëndimi” i të Madhëruarit, ka për qëllim një vepër, për të cilën Ai nuk është i kënaqur!”] – (vëll. 4, f. 608).

6. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Mëshira Ime ia ka kaluar zemërimit Tim!”] – (Hadithi nr. 6026, f. 374. Muslimi, nga Ebu Hurejra).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Ndërsa në transmetimin e Bukhariut: “Mëshira Ime e ka mundur zemërimin Tim!”… Ka për qëllim qartësimin e gjerësisë së Mëshirës, përfshirjen dhe mbërritjen e saj tek krijesat, para zemërimit!” – (vëll. 4, f. 609).

Njëkohësisht, thekson se: “Prej tij (sahabiut Ebu Hurejra), këtë hadith e transmetojnë edhe Ebu Ja’la dhe Dejlemiu.” – (vëll. 4, f. 610).

7. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Ata që duhen për hatrin Tim, do të jenë në poste prej Nuri. Atyre do ua kenë zili profetët dhe dëshmorët!”] – (Hadithi nr. 6037, f. 375. Tirmidhiu, nga Muadhi).

8. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Dashuria Ime është bërë e detyrueshme për ata që duhen për hatrin Tim, edhe për ata që ulen së bashku për hatër të dashurisë Sime, edhe për ata që dhurojnë për hatrin Tim, edhe për ata që vizitohen për hatrin Tim!”] – (Hadithi nr. 6038, f. 375. Ahmedi, Tabaraniu, Hakimi dhe Bejhekiu, nga Muadhi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [Ka thënë Ibn Arabiu: “Më ka dhuruar All-llahu një hise të madhe nga Dashuria e Tij. Pasha All-llahun, unë e ndjej atë dashuri, aq sa po të vendosej mbi qiell, ai do të çahej e, po të vendosej mbi yje, ato do të bienin e, po të vendosej mbi male, ato do të bëheshin pluhur…”] – (vëll. 4, f. 615).

9. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Robi Im, nëse do të më përmendësh në fshehtësi, do të të përmend fshehtas! E, nëse do të më përmendësh në një grup njerëzish, do të të përmend në një grup më të mirë se ai dhe më të madh!”] – (Hadithi nr. 6060, f. 377. Bejhekiu, nga Ibn Abbasi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Dmth, nëse më përmend me madhërim e shenjtërim, në vetmi, Unë do të përmend me shpërblim dhe mëshirë, veçmas… “E, nëse do të më përmendësh në një grup njerëzish, do të të përmend në një grup më të mirë…”, ndërsa në një transmetim tjetër: “… në një grup më të mirë nga ata, në mesin e të cilëve më ke përmendur”, dhe ky është një sinjalizim i madh për pozitën e lartë të dhikrit.” – (vëll. 4, f. 625).

10. [Ka thënë All-llahu i Madhëruar: “Robi Im, Unë jam tek mendimi yt i mirë për Mua dhe jam me ty, kur ti më përmend!”] – (Hadithi nr. 6066, f. 377. Hakimi, nga Enesi).

Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “(Pjesa e hadithit): “Unë jam tek mendimi yt i mirë për Mua dhe jam me ty”, dmth, me mbarësi, me ndihmë dhe Jam me ty me dijen Time, si në ajetin 46 të sures Taha: “Unë jam me ju të dy, dëgjoj dhe shoh”…” – (vëll. 4, f. 629).

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 5 janar 2017