
Dhjetë hadithet e kësaj dite kanë të bëjnë me cilësi të All-llahut të Madhëruar, përzgjedhje të Tij, sjellje dhe vepra të pëlqyera, si dhe sjellje dhe vepra të papëlqyera prej Madhërisë së Tij.
Këto hadithe kanë një vlerë të madhe në leximin e madhështisë së Islamit, nëpërmjet leximit të këtyre përshkrimeve të mrekullueshme, që kanë në thelb Zotin e gjithësisë dhe udhëzimin e Tij.
Hadithet në fjalë i kam nxjerrë nga përmbledhja e dijetarit të shquar, Imam Xhelaleddin Es-Sujuti (v. 911 h.), me titull: “El-Xhamius-Sagir fi ehadithil-Beshirin-Nedhir”, (botimi i parë, Bejrut, 1990).
Transmetimet e kësaj dite, nisin me emrin e Madhëruar: “All-llahu…”.
1. “All-llahu i Madhëruar përzgjodhi nga fëmijët e Ibrahimit, Ismailin. Përzgjodhi nga fëmijët e Ismailit, fisin Kinane. Përzgjodhi nga fisi Kinane, Kurejshët. Përzgjodhi nga Kurejshët, fisin Hashim. Më zgjodhi mua nga fisi Hashim!” – (Hadithi nr. 1683, f. 105. Tirmidhiu, nga Vathile).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: “Pra, (All-llahu i Madhëruar) e vendosi atë nur që ndodhej në ballin e Ademit (a.s), në ballin e Abdulmuttalibit (gjyshit të Hz. Muhammedit (a.s) -M.S.-), pastaj tek i biri dhe kështu, All-llahu e pastroi këtë gen të bekuar nga devijimet e injorancës. Dhe, dije se, bijtë e Ismailit u veçuan, jo vetëm me gjuhën arabe, pasi ata ishin njerëzit më të pastër e më të sjellshëm, por edhe më fisnikët…” – (vëll. 2, f. 262).
2. [All-llahu i Madhëruar më shpalli: “Bëhuni të thjeshtë, derisa të mos mburret dikush para dikujt, as mos të shkelë dikush, dikë!“] – (Hadithi nr. 1698, f. 106. Muslimi, Ebu Davudi, Ibn Maxheh, nga Ijadi).
Në komentimin e këtij hadithi, Imam Mennavi në “Fejdul-Kadir”, ndër të tjera, shkruan: [“…as mos të shkelë dikush, dikë!”, qoftë ai në besë (pra, i krishterë a hebre në shoqërinë islame), njeri në marrëveshje, a besimtar!” – (vëll. 2, f. 270).
Them (M.S.): Subhanallah, sa i drejtë dhe i mrekullueshëm që është gjykimi i fesë tonë islame në raport me respektimin e të drejtave të njeriut, kushdo qoftë ai, me gjithë besimin dhe përzgjedhjen e tij!
Edhe për këtë fakt, të gjitha propagandat islamofobe dhe nxitjet për urrejtje ndaj muslimanëve, përgjatë historisë, deri në ditët e sotme, me pretekstin se Islami është përhapur me dhunë dhe me shkelje të drejtave njerëzore, janë propaganda boshe dhe krejtësisht të refuzuar, nga kushdo qofshin!
3. “All-llahu i Madhëruar ia toleroi ymmetit tim paramendimin, derisa të mos kthehet në fjalë a vepra!” – (Hadithi nr. 1704, f. Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra. Etj.).
4. “All-llahu i Madhëruar ia toleroi ymmetit tim gabimin, harresën dhe veprat nën presion!” – (Hadithi nr. 1705, f. 106. Ibn Maxheh, nga Ebu Dherri. Etj.).
5. “All-llahu i Madhëruar më bëri rob bujar, nuk më bëri tiran të dhunshëm!” – (Hadithi nr. 1719, f. 107. Ebu Davudi dhe Ibn Maxheh, nga Abdull-llah ibn Busri).
6. “All-llahu i Madhëruar është i Bukur, e do të bukurën!” – (Hadithi nr. 1720, f. 107. Muslimi dhe Tirmidhiu, nga Ibn Mesudi. Etj.).
7. “All-llahu i Madhëruar pëlqeu për këtë ymmet lehtësimin dhe nuk pëlqeu për të vështirësimin!” – (Hadithi nr. 1742, f. 109. Tabaraniu, nga Mihgjen ibnul-Edraa).
8. “All-llahu i Madhëruar, kur e krijoi gjithësinë, shkroi me dorën e Tij, për Veten e Tij: Mëshira Ime e mund zemërimin Tim!” – (Hadithi nr. 1788, f. 112. Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
9. “All-llahu i Madhëruar nuk i shikon pamjet tuaja, as pasuritë tuaja, por shikon zemrat tuaja dhe veprat tuaja!” – (Hadithi nr. Muslimi dhe Ibn Maxheh, nga Ebu Hurejra).
10. “All-llahu i Madhëruar e do butësinë në çdo gjë!” – (Hadithi nr. 1864, f. 115. Bukhariu, nga Nana e jonë Aishe).
Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip:
Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 janar 2017