SALATUT-TESBIH (Namazi i tesbihëve)

Më pyeti sonte një prej vëllezërve të nderuar, rreth namazit të tesbihëve; faljes së tij, shpërblimit, vlerave etj.

Në përgjigje të pyetjes së tij, kam dëshirë të ndaj me ju, atë që shkruan Hoxha, rahmet pastë, në librin e tij: “Namazi dhe rregullat e tij”, në gjuhën arabe, botimi i dytë, Bejrut, 1985, f. 217-218.

“SYNETET QË NUK PASOJNË NAMAZE FARZE:

3. SALATUT-TESBIH (Namazi i tesbihëve)

Tesbihët, (dmth, ky namaz -M.S-), është katër rekate.

Transmetohet nga Ibn Abbasi (r.a) se Resulull-llahu (a.s) i tha Abbas ibn Abdulmuttalibit: “O axhë, a ke dëshirë të të jap diçka me vlerë, një dhuratë, një mirësi të madhe? A të jap dhjetë pika, që po i bëre, All-llahu do ta falë gjynahun tënd; të parin e të fundit, të vjetrin e të riun, atë gabimisht dhe atë me dashje, të voglin e të madhin, atë fshehtas e atë haptas, dhjetë pika: Të falësh katër rekate, të lexosh në çdo rekat Fatihanë dhe një sure. Kur të kesh kryer nga leximi, teksa je në këmbë, thua: Subhanall-llah, vel-hamdu lil-lah, ve la ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber, pesëmbëdhjetë herë. Pastaj shkon në ruku dhe i thua në ruku, dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga rukuja dhe i thua dhjetë herë. Pastaj ulesh në sexhde dhe i thua në sexhde, dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga sexhdeja dhe i thua dhjetë herë. Pastaj shkon sërish në sexhde dhe i thua dhjetë herë. Pastaj ngrihesh nga sexhdeja dhe i thua dhjetë herë. Këto janë shtatëdhjetë e pesë në çdo rekat. Këtë ta bësh në katër rekate.

Dhe, po munde ta falësh këtë namaz, një herë në çdo ditë, bëje! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në javë! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në muaj! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në vit! E, po nuk e bëre, të paktën një herë në jetë!”

(Hadithin e transmeton Ebu Davudi, ndërsa El-Hafidh El-Mundhiri thotë: “Hadith hasen sahih, e ka saktësuar a përmirësuar Ibn Mendeh (për të ka shkruar edhe një libër)”. Sikurse e transmeton edhe El-Axhuri, El-Khatib, Ebu Musa El-Medini, Imam Neveviu në librin e tij “Et-Tehdhib”, Es-Subki e të tjerë. Shih librin: “Hashijetu atharis-sunen” të Nejmeviut, vëll. 2, f. 47.)”

All-llahu e mëshiroftë Hoxhën tonë, të shtrenjtin Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi dhe na udhëzoftë përherë nga e mira dhe lartësimi shpirtëror nëpërmjet rrugëve të shumta të afrimit me Dashninë e Tij (xh.sh)!

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip,
shoqëruar me disa shënime anësore:

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 maj 2016