Falemnderit, LOGOS-A!

Prej kohësh më sillet në kokë një mendim rreth aktivitetit të bollshëm në cilësi dhe vëllim të Shtëpisë botuese LOGOS-A dhe kontributit të madh që ka dhënë në pasurimin e librotekave tona me vepra jashtëzakonisht të dobishme në gjuhën shqipe.

Është mendim, që sa vjen e forcohet, sa herë që raftet e librotekës sime shumëgjuhëshe, sa vijnë e marrin pamjen e një minipanairi libri në gjuhën shqipe, ku dominon, sidomos një emër: LOGOS-A!

Janë shumë e shumë tituj, shumë e shumë autorë, që të sjellur bukur në shqip, dëshmojnë për një rrezatim të pashembullt vlerash, për të cilat, brezat e rinj shqipfolës, kanë përherë e më shumë nevojë në këtë kohë tranzicionesh…

Mjafton të përmend kolanat e mrekullueshme të dijetarëve dhe eruditëve shqiptarë të këtij shekulli, si: Hafiz Ali Korça (12 vëllime), Imam Vehbi Ismaili (8 vëllime), Nexhat Ibrahimi (10 vëllime), kolana me 6 vëllime me 6 vepra të mrekullueshme mbi jetën e Hz. Muhammedit (a.s), e shumë botime të tjera të autorëve të spikatur, si: Muhammed El-Gazali, H. Vehbi Gavoçi, Ahmet Davutogllu, Sulltan Ahmed Kureshi, Abdullah Hamiti, Qani Nesimi, Nexhip Fazëll, Sami Frashëri, Ismet Ozel, Ilber Ortayli, Hajrudin S. Muja, Xhevat Lloshi, Ekrem Sarikçioglu, e shumë e shumë emra të tjerë autorësh të nderuar, për të imponuar një respekt të heshtur, por krejtësisht legjitim e të merituar! (Emrat e autorëve të lartcituar janë thjeshtë një ilustrim i shpejtë e real, jo një përzgjedhje preferenciale a izoluese).

Me kontributin e pashembullt që kjo Shtëpi botuese e librit në gjuhën tonë, ka dhënë në këto 25 vite, meriton të shpallet Nderi i Kombit Shqiptar në krejt trevat tona, si dhe të mbrohet me ligj, si monument i gjallë, aktiv dhe dinamik i trashëgimisë tonë shpirtërore, kulturore, filozofike, humane, diturore e qytetëruese, i klasit të parë!

Kudo, në vendet e qytetëruara të botës sonë, aty ku libri dhe fjala vlerësohen dhe peshohen me vlera, (sepse rrezatojnë vlera dhe civilizim të pastër e të ekuilibruar), elitat përmendin me krenari emrat e shtëpive botuese prestigjioze dhe famën e tyre legjitime në këtë drejtim!

Pa asnjë dyshim shqiptarët, kudo qofshin, duhet ta kenë për nder e krenari të mendojnë e të dëshmojnë një emër dinjitoz në fushën e botimeve elitare në gjuhën tonë të bukur shqipe, botime dhe vepra, që rrezatojnë përherë dritë, kulturë, horizonte të reja dhe civilizim! E, ky emër është: LOGOS-A!

Falemnderit, LOGOS-A!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 shkurt 2017