Mexhlisi i 77- të i leximit në “Sahihul-Bukhari”…

Dersi i hadithit, pas namazit të iqindisë së sotme, në një prej hapësirave të xhamisë së Resulull-llahut (a.s), më kujtoi lajmërimin që sahabiu Ebu Hurejra (r.a) i bëri tregtarëve të Medines dhe turmës së madhe në treg, kur u tha: “Në xhaminë e Resulull-llahut (a.s) po ndahet trashëgimia e të Dërguarit të All-llahut, ndërsa ju vazhdonit të qëndroni në treg?!”

Historia e këtij komunikimi përfundon me befasinë e madhe të turmës, që pasi kishin vrapuar drejt xhamisë me shpresën e përfitimit të florinjve dhe thesareve të strukura në skutat e pluhurosura të imagjinatës së tyre, nuk gjejnë gjë tjetër, veç mexhliseve të dijes e të dhikrit…

Imazhi i xhamisë së Resulull-llahut (a.s), përtej ëmbëlsisë, (prehjes dhe qetësisë, zhurmës së bekuar të hapave drejt namazeve, ngjyresës së pashembullt shpirtërore, që pasqyrohet në çdo detaj; deri në butësinë e flladeve që mbajnë era misk), e justifikon më së miri dëshminë e sahabiut jemenit…

Pas namazit të iqindisë, një zë i afërt ngjitur me rreshtin tonë, lajmëroi fillimin e dersit të 77- të të leximit dhe komentimit të haditheve të mbledhura nga Imam Bukhariu në Sahihun e tij.

Më shijoi thyerja e gjunjve para zotërisë së tij dhe nisa të mbaj shënime. I bindur në vërtetësinë e fjalës së Ma të Shtrenjtit (a.s), kur përmend se mexhliset e dijes janë të rrethuara nga krahët e melekëve, u zbret mëshira dhe janë në gjendje prehjeje shpirtërore dhe qetësie emocionale, i ftova edhe disa prej vëllezërve të pranishëm që të sillen e, me nijetin e kërkimit të dijes, të përfitojnë sa më shumë…

Ka një peshë të paimagjinuar leximi a komentimi i haditheve në xhami të Resulull-llahut (a.s), aty, bri Varrit të tij… Emocionet e përziera me ëmbëlsinë e përmendjes së emrit të Ma të Mirit (a.s), shoqëruar me përfytyrimin se, ngjarjet shoqëruese të këtyre haditheve dhe fjalët e tyre janë zhvilluar, kryesisht në këtë gjeografi, ku ndodhemi edhe ne, duke dëgjuar e mbajtur shënime, i japin vetë mexhlisit një pamje, sa njëmijë dëshmi të largëta, pa erën e Medines..!

Mexhlisi nr. 77, nisi me kapitullin: “Gjynahu i atij që jep besën, pastaj pret në besë”. Hadithi i parë në listën e Fjalëve të regjistruara në këtë kapitull, ishte ai që transmetohet nga Abdull-llah ibn Amri (r.a), që thotë se, Resulull-llahu (a.s) ka thënë: “Ai që i ka këto katër veçori, është munafik i pastër: Ai, që kur flet, gënjen dhe, kur premton, nuk e mban premtimin dhe, kur jep besën, të pret në besë dhe, kur armiqëson, anon nga e keqja! Dhe, kushdo që ka një nga këto veçori, ka një hise të nifakut (hipokrizisë), deri të largohet prej saj!”

Pas leximit, Hoxha mori të fliste… “Nifaku i përmendur këtu nënkupton hipokrizinë në sjellje e vepra, jo atë në besim e bindje!”, – tha, duke sinjalizuar të keqen e madhe që vjen në shoqëri, nga ata njerëz, që rrugëtojnë drejt shembujve të hipokrizisë në jetë, duke mbjellur pabesi, armiqësi, gënjeshtra e premtime të thyera…

Edhe pas namazit të akshamit, edhe pas atij të jacisë, mexhliset e dijes, sa një cep në tjetrin, u bënë sot, dëshmitarë të shpirtit të dijes, edukimit, besimit, moralit, mirësjelljes, distancimit nga injoranca dhe fytet e saj, thellimit në dituri të dobishme etj., në cepat e xhamisë së zotërisë së bijve të Ademit, Lajmëtarit të “Ikra-së”, ndërtuesit të jetës me dashuri, urti, tolerancë, (ndaj të paudhëve e të paditurve, meskinëve dhe të kompleksuarve), përhapësit të paqes edhe në luftë e beteja, “Mëshirës së dhuruar” për tanësisnë…

All-llahumme, të përulem me falënderim e lavde pa fund..!

Imam Muhamed B. Sytari
Medina e Ndriçuar, më 7 mars 2017