Kubâ, Uhud, Hendek, ose: Ti meriton të jetosh me dinjitet!

Sot, vizituam disa prej vendeve historike të Medines së Ndriçuar. Natyrshëm, një popull pa heronj e pa vende dëshmitare të historisë së vet, mbetet një popull pa identitet. Sikurse, një popull me heronj të sforcuar e të imponuar dhunshëm, e disa të tjerë konjuktural, mbetet popull pa ekuilibër e, gati-gati, shoqëri laramane, që udhëhiqen lehtë nga të denjë për t’u kthyer në tiranë të adhuruar, si lopa e hindusëve!?

Kubaja, ka qenë dhe mbetet dëshmi e përjetësuar në Kur’an. Dëshmi për ata burra, “që duan të pastrohen!”. Si të thuash, një mesazh i rrjedhshëm ndaj çdo muslimani, për ta jetuar jetën e tij pastërtisht, me dinjitet e krenari karakteri, që e dallon nga kushdo që nuk rrugëtuar si ai, drejt shtigjeve të udhëzimit, disiplinës, punë, sakificës për hallallin dhe durimit ndaj tu dimeve të harameve të panumërta në jetë!

Kubaja, si një stacion i pazëvendësueshëm, që mishëron vlerat e larta të organizimeve shoqërore me bazë sinqeritetin ndaj All-llahut, dashninë ndaj të Dërguarit të Tij, sakrificën për Fenë, në rrugën e ndërtimit të jetës!

Ndërkohë, Uhudi mbetet përherë udhërrëfyes dinjitoz drejt frymës së mbrojtjes së besimit deri në vetëmohim. Mirëpo, çfarë mbrojtjeje dhe çfarë xhihadi? Ah, po, Xhihadi, (ky term i keqpërdorur llahtarisht, dekadave të fundi, nga muslimanë e jo), si forma më elitare dhe logjike e përballjes së organizuar komunitare, në përballjen finale me të keqen, kur kjo e fundit don të të nxjerrë sytë, don të të marrë frymën, don të të zhveshë nga identiteti yt hyjnor dhe cilësitë e tij, don të të shtypë, si për të thënë: Ti nuk je njeri normal, je kavie në administrimin e tekave të mia!?

Uhudi rrezaton shpirtin e xhihadit të pashembullt të Resulull-llahut (a.s) dhe sahabëve të tij, në një ditë, kur lajmërohej me të madhe se, i Dërguari (a.s) ishte vrarë, ndërsa ai thërriste: “Unë jam Lajmëtari, kjo s’është gënjeshtër! Unë jam djali i Abdulmuttalibit!”

Uhudi, ku sa e sa burra të mëdhenj, ranë heroikisht, në një prej beteja e më vendimtare për të ardhmen e ymmetit. Uhudi i Hamzait, Mus’abit, Enesit, Handhalesë, Shemmasit, e shumë të tjerëve burra, nga mesi i sahabëve, që akoma sot, teksa vizitojmë tokën e lavdisë së historisë së tyre, na nxisin për të mos jetuar pa zë, pa dinjitet, pa liri, pa të drejta legjitime, pa moral, pa të ardhme, pa politikë të ndërtuar mbi moralin e vlerave tona shekullore, pa edukim, pa thellim në besim, pa arsimim, pa thellim në dije e shkencë, pa përpjekjet e pandërprera drejt rimëkëmbjes së madhe! Me pak fjalë, na ftojnë të mos jetojmë pa xhihad! Sepse vetë jeta e jonë është një xhihad i madh..!

Stacioni i tetë për nga zinxhiri i vizitave të kësaj dite ishte zona e Hendekut me Shtatë xhamitë, (si një nyje kompleksi psikologjik në besimin dhe perceptimet fetare të çuditshme të dikujt në këtë vend!?)

U ndala pak dhe teksa vështroja “xhaminë” e Hz. Selman Farisiut, m’u forcua edhe më shumë idea dhe bindja se, Islami ka mision të vetin zhvillimin e aftësive individuale të talentit të cilitdo prej pjesëtarëve të shoqërisë së tij, mbështetjen, promovimin dhe dhënien e mundësive për përhapjen e të mirës nëpërmjet ideve pozitive!

Hz. Selmani pers, është pa asnjë dyshim, mishërim vendimtar i kësaj idee, që sot, forcohej edhe më shumë, kur po vështroja përreth. Hz. Selman Farisiu, ishte sahabiu i nderuar që i sugjeroi të Dërguarit të All-llahut, gërmimin e një hendeku të madh, si mburojë ndaj një sulmi të pandalshëm të mekasve të egërsuar e të tërbuar ku dër Islamit dhe muslimanëve, pak a shumë si realitetet islamofobike që shfaqen dhunshëm sot, kudo përreth nesh!

Me fjalë të tjera, sot, ymmeti islam ka nevojë për një prijës të urtë, rrethuar me këshilltarë të aftë, që dëshmojnë se, ymmeti islam, sado i përhumbur, i fjetur, i dërrmuar, i lënduar e i kolonizuar që të jetë, nuk vdes, nuk humbet, nuk shuhet, rimëkëmbet mbi tabanin e besimit dhe aftësitë e organizuara të individëve elitarë të shoqërisë së vet!

Sot, ishte ditë vizitash. Prej atyre, që të japin oksigjen dhe të forcojnë në rrugëtimet e pandalshme drejt realizimit të qëllimeve dritësuese, drejt rimëkëmbjes, drejt dinjitetit dhe krenarisë legjitime, që Zoti i gjithësisë na ka dhënë, nga momenti i parë ardhjes në këtë botë..!

Imam Muhamed B. Sytari
Medina e Ndriçuar, më 8 mars 2017