Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize…

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Vështroj përreth orbitës së dritësisë që krijon kompozimi i mrekullueshëm i kupolave në qetësinë e prehjes përballë pasqyrës Tënde. Krejt universi, me detajet dhe imtësitë e tij, duket se falet në një pikë…

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Krejt njerëzia janë mbledhur këtu, asnjëherë ritmet e dashnisë universale s’e ndalin dinamikën e lëvizjes së tyre, këtu, bri Kupolës Tënde. Janë mbledhur të gjithë, (përherë mblidhen të gjithë), nga Lindja e Perëndimi, me një hap, me një lutje, me një udhëzim e një dashni, që s’e shuan dot asgjë, askush… Salavatet nuk ndalen e rrezatimet e Dashnisë Tënde përhapen si bekim hyjnor mbi krejt ata që ndjejnë mbi këtë tokë të bekuar…

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Dëgjoja sot, imamin në namaz, teksa përsëriste dëshminë e vulosur, se Ti, zotëria i bijve të Ademit: “Je në Sytë Tanë!”. Buzëqeshem me vete; më kujtohen fjalët e Ebu Xhehlit, Um Xhemilit, të sa e sa xhahilëve të tjerë meskinë, prej parisë së kohës Tënde, teksa të gjuanin me fjalë: “Magjistar”, “Murg”, “Poet i çmendur”… Ndërkohë kthej vështrimet nga dritësia që dhuron pamja e Kupolës Tënde: ku ishin, ku mbetën (?!..), ku ishe, ku dritëson deri në përjetësi!..

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… E dëshmon i moshuari indonezian, moshatari i tij pakistanez, një i bardhë tjetër turk me bastun në dorë, bri tij një i ngjashëm afgan.., ka edhe ujgurë, afrikanë me mjekër të badhë, një mjekërverdhë amerikan, ngjitur tij një anglosakson me kapuç të bardhë mbi kokë e tesbihët e dhikrit në qafë, ca aziatikë të largët, që qajnë me mall, xhezairitë e marokenë, por ka edhe shqiptarë, që aty, para Duarve Tuaja, kanë ardhur të dëshmojnë besën e pathyer…

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Sot, xhamia nuk kishte vend për ata që prezantuan namazin e xhumasë. Sa dhikri e sa salavati, sa lutje e sa tekbire, sa optimizim e sa vullnet; sa të dorëzuar para dritësisë që dhuron garancia e Paqes mbi këtë vend, të Ndriçuar..!

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Koha duket se ka ndalur, njëkohësisht duket se ka fituar një dimension të papërshkrueshëm, bri Teje; atë të frymës së rimëkëmbjes së madhe dhe zgjimit të shumëdëshiruar nga një botë e zhytur në zullum e degradim, imoralitet e shthurrje, injorancë e idhujtari..!

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize… Akoma sot, diku nëpër këtë botë që s’peshon as sa një krah mize, (sa peshojnë vallë Ebu Xhelët e kohës?!), dikush, zhytur në errësirat e injorancës së integruar, përsërit fjalët e shekujve të shkuar… Më vjen të qeshem me të madhe, thjeshtë vë buzën në gaz dhe, sërish më vijnë ndër mend ajetet e kënduara nga imami, akshamin e kësaj dite… Ngre kokën nga shënimet dhe mbushem me frymën që dhuron dritësia e papërkthyeshme e vështrimit në pasqyrën Tënde…

Pranë Teje, bota nuk peshon as sa një krah mize…

Imam Muhamed B. Sytari
Medina e Ndriçuar, e xhuma, më 10 mars 2017