Nga dritarja e dhomës sime, pamja e xhamisë së Resulull-llahut (a.s) është mahnitëse, gati ireale, por fatmirësisht reale, sa drita dhe bukuria e yjeve lart në qiejtë e ngritur mbi çatinë e Kupolës së Gjelbërt…
Rrezatimi që fal vështrimi në detajet e xhamisë (dhe në tërësinë e saj), si një kompleks nuranit, që ta merr zemrën me shikim të parë, ka një shije të hollë, si të ishte parfum i rrallë, shumë i shtrenjtë, thuajse i paarritshëm.., prej atyre që shijohen me sy mbyllur, duke të dhuruar mirazhe të paarritshme pa ndërmjetësinë e tij…
Ditët dhe netët i lënë vend njëri-tjetrit, duke marrë e duke dhënë, duke falur mall e duke dhuruar prehje vendesh e njerëzish, mbuluar nga bardhësia, transparenca, esenca… Këtu, çdo gjë flet me gjuhën e butësisë, humanizmit, bujarisë, zemërgjerësisë e, mbi të gjitha, me tiparet karakteristike të bardhësisë… Bardhësi në sjellje, në fjalë, në buzëqeshje, në xhami, në treg, në rrugë, në hotel… Kudo bardhësi njerëzish, që marrin e japin në qytetin, për të cilin, Hz. Muhammedi (a.s), 15 shekuj më parë lutej për të…
Kushdo e ndjen begatinë e Medines, ngado preket bereqeti i saj. Edhe flladet e këndshme, që fryjnë hera-herës, mbartin me vete eliksirin e bereqetit të kësaj duaje shekullore… Edhe pëllumbat në fluturimet e tyre të paqta, e ndjejnë se mbi këtë tokë shkelin njerëz, që vijnë të marrin qetësi e të ndjekin gjurmët e zotërisë së bijve të Ademit, për të cilin, Krijuesi i gjithësisë dëshmoi: “Me të vërtetë, ti qëndron mbi një moral të madhëruar!”, pas të cilit nuk ka tjetër nivel shembulltyre për racën njerëzore..!
Njerëz që shkojnë, të tjerë që vijnë, në rrugëtimet e shpirtit drejt prekjes së Dashnisë, mallit, lutjes, prehjes, dhikreve, salavatit, qetësisë së shpirtit, imdadeve, kokës së ulur me fytyrë nga pluhuri i dheut fatlum, mbi të cilin shkelën këmbët e tua, ja Resulull-llah..!
Pleq të përlotur, të rinj të përulur në sexhde, fëmijë të paqtë me gelabije të bardha, foshnja që qajnë e pushojnë në krahë nënash me tesbihë salavati në dorë..; të gjithë janë mbledhur në këtë tokë ensarësh të bekuar ndër breza nga lutja jote, në kërkim të faljes, mëshirës, bekimeve, dorëzimit, përuljes.., ja Resulall-llah..!
Thonë se largësia dhe harresa e fshijnë mallin dhe mungesën… E kundërta ndodh me ata që e shijuan Dritën e shfaqjes Tënde, që errësirat e çdo idhujtarie dëboi… Edhe me ata, që nga fjala Jote ndërtuan kështjella ashku, ku ndalohet të shkelë këmbë njeriu që nuk është pastruar me lotë tehexhudi e zjarr salavatesh, netëve të gjata në kërkim të Mallit.., ja Resulall-llah!
Sonte, nata me pelerinën e saj, ka mbuluar horizontet. Vetëm para duarve tuaja, nata nuk sfidohet dot me Dritën; prej saj merr bukuri e ngjyrë të ëmbël selamesh; aq sa për t’u lartësuar në gradën: “Natë salavatesh!”.., ja Resulall-llah..!
Nga dritarja e dhomës sime, sonte nata hesht në mall, lutet me mua, në qetësinë e shkrimit, në bukurinë e vështrimeve drejt Kupolës Tënde, o Ma i Dashtuni Pejgamber, o Ma i Miri përkthyes i Dashnisë së Krijuesit për krijesat e Tij…
Sikur vetëm shfaqja Jote e përbotshme të shënohej si argument i Dashnisë së Tij për ne, do na mjaftonte për këtë botë dhe të përtejmen!
Zot, të qofshim falë, që Dashninë Tënde për ne, e zbulove në harfet e emrit: M-U-H-A-M-M-E-D!
Elhamdulilah!
Imam Muhamed B. Sytari
Medina e Resulull-llahut (a.s), më 11 mars 2017