Pasdrekën e sotme, u larguam me shumë përmallim nga Medina e Ndriçuar. Përherë, largimi prej saj është i vështirë për zemrën, nuk shpjegohet dot ajo që ngjet përbrenda, teksa merr të largohesh prej këtij vend. Mbetet sirr prej sirreve, që janë përherë aty, për të argumentuar se Dashnia dhe Besimi, rrijnë bashkë, asnjëherë nuk ndahen, si askund tjetër në Medine!
Më pyeti një mik: A do kishe jetuar në Medine? – Thjeshtë vura buzën në gaz. Ç’t’i thoja?! Po, apo jo?!.. (Nuk kam asnjë dilemë për përgjigjen e kësaj pyetjeje, thjeshtë nuk më pëlqen të ul itibarin e përgjigjeve të mëdha për shkak pyetjesh emocionale!)
E vërteta është se, kudo ku kam shkelur, në udhëtimet e ndryshme, nga një cep i botës në tjetrin, kam konstatuar se Islami, kudo që gjindet, e paqton vendin, kohën dhe shoqërinë. Si të thuash, kthehet në një garanci të natyrshme që ofron qetësi, paqe, dialog, dije, edukatë, mirësjellje, por jo vetëm.
Kuptohet, kjo, në raport me njerëz të sinqertë me Islamin e tyre, jo ndryshe, nga modelet, që i kam prekur dhe i prek dhe, që më së shumti serviren nga mediat perëndimore, si frikësim dhe terrorizim i shoqërive njerëzore me Islamin!? Se, natyrshëm, nuk kanë asnjë vlerë, as intelektuale, as morale, as humane këto lloj shërbimesh mediatike. Thjeshtë punojnë në shërbim të krijimit të klimave konfliktuale, si rasti i Shqipërisë, ku për një lajm të tillë, ku në shënjestër qëndron Islami dhe muslimanët, (kuptohet, padrejtësisht, sepse ata mendojnë se është koha e tyre), gëlojnë komentet e profileve anonime a të ngjashme, mbushur me kërcënime, sharje, banalitete të përshtatshme për vulgun, ku realisht vegjetojnë prodhuesit e tyre në llumin e idhujtarisë dhe primitivizmit të tyre.
Pak më të lustruar se këta, janë shumë fjalime politikanësh, kur nisin e të filozofojnë me teza të tilla, si: “Islami kombëtar”, “Islami paqësor”, “muslimanët e urtë”, “muslimanët me tufa lulesh në dorë”, “Islami modern”, ( ai i ateistëve dhe laramanëve të fondacioneve të ndryshme “bamirëse”), e të tjera modele të ngjashme, nga tribuna të ngritura mbi injorancën e masave, frikën, varfërinë dhe të kaluarën ateiste shtypëse, por jo vetëm!?
(Natyrshëm, tema të tilla, si: Islami dhe kombi, Islami dhe modernizmi, Islami dhe paqja globale, Islami dhe islamofobia, mbeten tema të dobishme për trajtime elitare nga teologë e studiues islamë objektivë.)
Pasdrekën e sotme, morëm rrugën drejt Mekës, qytetit të lindjes së Njeriut më të madh të historisë së njerëzimit, Muhammed ibn Abdull-llah ibn Abdulmuttalib, i Dërguari i fundit i Zotit të gjithësisë për racën njerëzore.
Rruga nga Medina në Mekë, shoqërohet me pamje të çuditshme shkretëtirash me ngjyrë të zezë, me gri, por edhe me nuanca të tjera të forta ngjyrash, që përkthejnë krejt natyrshëm një natyrë të kahershme shekullore të banorëve të këtyre zonave, sidomos në mungesë të udhëzimit hyjnor…
Pikërisht, nga këto nahi, doli në skenën e ngjarjeve të mëdha të historisë së njerëzimit, Ma i Miri, “Besniku”, “I drejti”, humani e toleranti përballë mendjengushtësisë, zemrave me perde e idhujtarisë në furinë e çmendurisë së saj, i dëshmuari në Kur’an, si: “Muhammedi është i Dërguar i All-llahut!”…
E, pikërisht në këtë shretëtirë trishtuese, shekuj para Ma të Mirit, babai i lajmëtarëve të Zotit, Ibrahimi (a.s), do të ndërtonte me të birin, Ismailin, Qaben e Madhnueshme, për ta kthyer shkretëtirën e egër, në një pikësynim për zemrat e besimtarëve nga mbarë globi… Si për të thënë se, forca e besimit dhe drita e tij, mund të dominojnë mbi çdo shkretëtirë të thatë, pa ujë, pa gjelbërim, pa jetë…
Kështu, me mbarësinë e All-llahut, u nisëm sot, drejt Qabes së Bardhë, për të dëshmuar bashkarisht se, “Drita e tânë botës” është mbledhur aty, si një central Nuri, që përhap mirësi e paqe për këdo, që mësyn këtë prag, due shqiptuar fjalëkalimin e dorëzimit: “Lebbejkall-llahumme lebbejke!”…
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 12 mars 2017