“Kthehuni Librit tuaj, lërini panairet..!”

Gjatë ditëve të qëndrimit në vendet e shenjta, është e pamundur mos të të bjerë në sy numri i stërmadh i vizitorëve besimtarë nga çdo cep i botës, të cilët në vetvete dhe në natyrshmëri të plotë me kulturat popullore dhe traditat e trashëguara, sjellin me vete edhe tiparet e qytetërimeve dhe vendeve, prej nga vijnë.

Sa shkon një grup, ja behin dhjetë të tjerë. Nordikë, amerikanë, italianë, aziatikë, afganë, turqë, shqiptarë, uzbekë, rusë, anglezë.., prej nga s’të zë syri. (Sot pasdite në tavaf, u takova me ca miq të mirë nga Gostivari). Asnjëherë, hapësirat përreth Qabes së Madhnueshme, rrugët e qytetit dhe hotelet e shumta të tij, nuk janë bosh.

Kudo gjen shenja bamirësie, bujari, foto vëllazërore, këmbim adresash, por jo vetëm. Ka edhe studiues, që në këto ditë të begata, këmbejnë mendime e punime, ide dhe alternativa të dobishme, që i shërbejnë projekteve të ndryshme, në dobi të shoqërive, vetë njerëzimit.

E, teksa po përgatitesha të shkruaj disa nga shënimet e kësaj dite, një mik i shtrenjtë më dërgoi një mesazh, në përbërjen e të cilit, ishte edhe kjo dëshmi, që ia ndryshoi rrjedhën shënimeve të ditës: “Qendra e Shërbëtorit të Dy Haremve (Mbretit të Saudisë), hapi në Britani, një panair informues rreth Islamit. Në këtë panair mori pjesë edhe një mik yni, thirrës islam, që tregon sa vijon:

Erdhi një burrë skocez dhe pasi u soll, sa andej-këndej, m’u afrua, më dha selam dhe nisi të fliste me mua. E pyeta nëse kishte dëshirë të dinte diçka rreth Islamit.

“Jo, jo, falemnderit! Nuk më pëlqejnë këto lloj prezantimesh, të cilat jemi mësuar t’i dëgjojmë prej kohësh. Përtej kësaj, kam jetuar në mesin tuaj për shumë vite, në shumë shtete arabe dhe islame. Poashtu, kam lexuar shumë për Islamin dhe di shumë gjëra rreth tij.”, – ma ktheu.

E pyeta: Po çfarë di rreth Islamit?

Tha: “Islami është fé e bukur, e mrekullueshme, disiplinon marrëdhënien tënde me tjetrin, kushdo qoftë ai, musliman a jomusliman. Të mëson si ta adhurosh Zotin tënd, në mënyrë të qartë, si të sillesh me prindët, bashkëshorten, fëmijët, komshiun, mbarë shoqërinë etj.!

Ndërsa ajo, çfarë ju veproni në realitet, është krejt ndryshe. Sepse, ju gënjeni, shani, vidhni, nuk keni respekt për kohën, jeni anarshistë, nuk e doni ligjin, e përçmoni tjetrin, jeni racistë, keni korrupsion, respektoni të pasurin dhe e nënçmoni të varfërin!”

Pastaj, më tha: “Më vjen keq, por më duket se të vura në siklet!”

Ia ktheva: Ti merr atë që të porosit Libri (Kur’ani) dhe lëre sjelljen e njerëzve!

Ai, luajti kokën në shenjë mohimi, pastaj vijoi: “Ju humbisni paratë dhe kohën tuaj me këto panaire! Ne dijmë shumë gjëra për ju. Ndoshta, edhe më shumë nga ç’dini ju për veten tuaj!

Kthehuni nga Libri juaj madhështor, praktikojeni atë që gjeni në të prej sjelljeve dhe parimeve. E, nëse e realizoni si duhet praktikën e tij, do të shihni se si njerëzit do të hyjnë në fenë tuaj, turma-turma, pa pasur nevojë për kësi panairesh. Sepse ne jemi një popull që na intereson rezultati i prekshëm në realitet, më shumë sesa çfarë lexohet në libra!”…

Natyrshëm, mesazhi nuk mbaron me kaq, por kaq kam dëshirë të ndaj me ju. Edhe pse personalisht, nuk ndikohem emocionalisht nga këto lloj bisedash dhe mesazhesh, edhe pse në realitetet e prekshme kam hasur gjithandej një dekadencë të çuditshme morale dhe intelektuale tek shoqëritë e modelit të skocezit, (nuk është ky momenti të hap këtë derë), nuk mund të mos i jap të drejtë për shumë nga të vërtetat e hidhura, që ai ka konstatuar në udhëtimet e tij në botën tonë.

Në fakt, secili prej nesh, e ka për detyrë, të reflektojë dhe të rivlerësojë marrëdhënien e tij me Islamin dhe shoqërinë, familjen, veten, farefisin, kohën, punën etj. Jo për konstatimet relativisht të sakta të një udhëtari skocez, as për shënimet e mia, as për opinionet e mbarë botës, por për marrëdhënien e tij me Zotin e tij dhe nivelin e sinqeritetit në raport me saktësinë e besimit dhe praktikimit të tij.

E vërteta është se, kjo fé do të mbërrijë, ku ka mbërritur nata dhe dita, kjo nuk ka asnjë dyshim. Ka mbërritur xhanëm! Por, më e rëndësishme se ky fakt hyjnor, që zhvillohet natyrshëm, me a pa ne, është, se ku do ta vendosim ne veten tonë; tek muslimanët, në veprat e të cilëve lexohet Islami, apo tek njerëzit e tjerë..?!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 13 mars 2017