Tesbihët me 33 a 99 gurë, janë një objekt shoqërues i dhikreve të muslimanit, prej shekujsh. Në kohën e Resulull-llahut (a.s), janë përdorur guralecë, a të ngjashëm, për numërimin e sasisë së dhikreve, sipas porosive të Lajmëtarit të All-llahut. Dikush, përdor numërimin me anë të gishtave të dorës. Dikush tjetër, me anë të mjeteve të reja, që ndihmojnë numërimin e dhikreve, sidomos të atyre pas namazeve ditore, por jo vetëm.
Tesbihët i sheh gjithandej në duart e vizitorëve të panumërt të vendeve të shenjta. Edhe në shitoret e shumta të Mekës dhe Medinës, por edhe gjithandej në botën islame, tregtohen lloje të shumta të tesbihëve.
Natyrshëm, qëllimi i këtyre rreshtave ka të bëjë me nevojën e madhe që ka shfrytëzimi i kohës për shtimin e dhikrit, (që natyrshëm nuk kushtëzohet me praninë e tesbihëve, mjeteve bashkëkohore, a edhe të gishtave të dorës), sidomos i atyre dhikreve që janë transmetuar në hadithe të shumta dhe që kanë një vlerë të madhe për besimtarin në dinamikën e jetës së përditshme.
Ibnul-Kajjimi thoshte, se: “Nevoja e robit për leximin e dy sureve të fundit, “dy mbrojtëseve”, është më e madhe se nevoja e tij për ushqim dhe pije!”. Që do të thotë se, ka shumë rëndësi, përtej fjalës së lartcituar, që muslimani të ruajë me disiplinë të madhe virdet e përditshme të dhikreve, duke u përpjekur të ruajë njëkohësisht, hisen e tij në hadithin, që thotë: “Ruaje All-llahun, të të ruajë!”
Në përditshmërinë e adhurimeve në Shtëpinë e All-llahut, prania e tesbihëve është një sinjal më shumë, se njerëzia nuk e kanë humbur sensin e dhikrit, atë të përmendjes së All-llahut në mënyrë sistematike, jo vetëm në raste fatkeqësishë a në momente frike e pasigurie në jetë!
Kudo, në çdo cep të dy Haremeve të Shenjta, prania e madhe e adhuruesve me virdet e tyre të përditshme, dëshmon qartë se në këtë botë ka ende shpresë e mirësi. Se, sistemet vrastare të besimit dhe cilësive të tij, të ngritura nga krijesa idhujtare të zotëve prej dylli, të kuruar në detaj deri në çdo imtësi të botës materiale, por krejt bosh në besim e humanizëm, krejt pis në moral e shpirt, nuk mund të kenë të ardhme, sado që klithmat e tyre përpiqen pa ndërprerje ta frikësojnë njerëzimin!?
Në fakt, virdet e dhikrit, janë garancia më e paqtë dhe siguria më e fuqishme që mbajnë shpresën dhe optimizmin të pashuar… Kur të shuhen virdet, dielli dhe hëna nuk do të jenë më..!
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 14 mars 2017