Kur të vijë burri yt, bëji selam dhe thuaji ta ruajë pragun e derës!..

Meka, në çdo moment të ditës e të natës të frymëzon me detaje të historisë së saj të lashtë, mbushur me personazhe e urtësi, nga urtia e shekujve që shkuan e s’kthehen më…

Meka e Hz. Ibrahimit (a.s), Lajmëtarit të Zotit, që u përjetësua në Kur’an, si simbol i përkushtimit, përulësisë, urtësisë e ndërtimit të vlerave të besimit, edhe në mesin e thatësirave intelektuale e katrahurave plot idhujtari, në realitete të zymta shoqërishë primitive…

Disa dhejtra vite pasi Hz. Ibrahimi (a.s), kishte lënë bashkëshorten e tij të dashur dhe të birin e porsalindur, Ismailin (a.s), në shkretëtirat e thata të një vendi, që më pas do të quhej Mekë, (në përkushtim të plotë ndaj urdhëresës hyjnore), erdhi një ditë të vizitonte të birin…

“… Pasi nuk e gjeti Ismailin në shtëpi, pyeti të shoqen e tij për të. Ajo tha: Ka dalur për rizkun tonë!

Më pas, Ibrahimi (a.s) e pyeti për gjendjen e jetesës. Ajo tha: Jemi shumë keq, jemi ngusht dhe në mjerim..!

Ibrahimi (a.s) tha: Kur të vijë burri yt, bëji selam dhe thuaji të ndërrojë pragun e derës!

Kur erdhi Ismaili (a.s), e pyeti të shoqen: A ka ardhur kush sot?

Ajo tha: Po, erdhi një plak… Pyeti për ty dhe i tregova. Pastaj më pyeti për jetesën dhe i thashë se jemi ngusht dhe në mjerim.

Ismaili (a.s) vijoi: A la ndonjë porosi?

Ajo tha: Po. Më tha të të jap selam dhe tha: Thuaji të ndërrojë pragun e derës!

Ismaili (a.s) tha: Ai plaku është babai im, që më urdhëron të ndahem prej teje, prandaj shko tek familja jote!

Pas kësaj, ai u martua me një tjetër grua prej tyre… Kaloi kohë dhe Hz. Ibrahimi (a.s) u shfaq sërish. Kërkoi për të birin, por nuk e gjeti. Pyeti të shoqen e tij për të. Ajo tha: Ka dalur për rizkun tonë!

Më pas, Ibrahimi (a.s) e pyeti për gjendjen e jetesës. Ajo tha: Jemi shumë mirë, në mirëqenie, falë All-llahut..!

Ibrahimi (a.s) tha: Me çfarë ushqeheni? Ajo tha: Me mish. Tha: Çfarë pini? Ajo tha: Ujë.

Ai u lut: All-llahumme begatojua mishin dhe ujin!

Pastaj i tha: Kur të vijë burri yt, bëji selam dhe thuaji ta ruajë pragun e derës!

Kur erdhi Ismaili (a.s), e pyeti të shoqen: A ka ardhur kush sot?

Ajo tha: Po, erdhi një plak… Pyeti për ty dhe i tregova. Pastaj më pyeti për jetesën dhe i thashë se jemi shumë mirë dhe në mirëqenie.

Ismaili (a.s) vijoi: A la ndonjë porosi?

Ajo tha: Po. Më tha të të jap selam dhe tha: Thuaji ta ruajë pragun e derës!

Ismaili (a.s) tha: Ai plaku është babai im, që më urdhëron të jetoj me ty!

Pastaj kaluan edhe ca kohë dhe Hz. Ibrahimi (a.s) u shfaq sërish. E gjeti të birin në një oaz, duke mprehur sa heshta, afër burimit Zemzem. Kur e pa të atin, u ngrit menjëherë dhe u përqafuan me shumë mall…

Hz. Ibrahimi (a.s) tha: O Ismail, All-llahu më ka urdhëruar për diçka.

I biri ia ktheu: Vepro atë që je urdhëruar!

I ati vijoi: A do më ndihmosh?

I tha: Po, të ndihmoj!

Hz. Ibrahimi (a.s) tha: All-llahu më ka urdhëruar të ndërtoj këtu një Shtëpi. Dhe bëri me shenjë drejt një kodrine të lartësuar…

Atëherë, të dy nisën punën dhe hodhën themelet e Shtëpisë (Qabes së Madhnueshme). Ismaili sillte gurët, Ibrahimi ndërtonte, derisa godina u lartësua. Pastaj solli këtë gur të madh (tabanin e gjurmëve të Mekami Ibrahimit) dhe mbi të u ngrit duke ndërtuar…” – (Bukhariu, nga Ibn Abbasi).

Meka, në çdo moment të ditës e të natës të frymëzon me detaje të historisë së saj të lashtë, mbushur me personazhe e urtësi, nga urtia e shekujve që shkuan e s’kthehen më…

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 15 mars 2017