Dhe malli i saj nuk humbet asnjëherë mbi faqen e dheut..!

Qabja e Madhnueshme ka një forcë tërheqëse të pathënë. Nuk kam asnjë dyshim se, sekreti i saj qëndron pas duasë së Hz. Ibrahimit (a.s): “Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë Shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që të falin namazin, pra, bëj që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoji ata me fruta.”, duá të cilën e ka përjetësuar All-llahu i Madhëruar në Kur’an, në suren Ibrahim: 37.

Ndryshe, nuk ka sesi të shpjegohet kjo mori e madhe e njerëzve nga mbarë bota, që vijnë në këtë vend, turma-turma, në çdo ditë të vitit, pa ndërprerje, në një klimë të pakrahasueshme besimi, harmonie islame dhe vlerash vëllazërore të papërshkrueshme.

Është hyjnore historia e fillimit të këtij qyteti, pikërisht, nga një shkretëtirë e thatë dhe e pajetë, në vendin më të gjallëruar në botë.., në më të shtrenjtin e më të dashurin e vendeve për zemrat e milionave pa fund prej bijve të Ademit…

Vetëm ata që e kanë vizituar këtë vend dhe e kanë shkelur këtë tokë, e kuptojnë këtë që po shkruaj. Nuk kam gjetur akoma një njeri që ka shkelur këtë vend, të mos ketë dëshirë e mall të rikthehet sërish këtu!

Para pak ditësh u larguam nga Medina dhe, akoma sot, kur e shohim në tv a flasim për të me vëllezërit e grupit, ndjejmë mall, duam të rikthehemi sërish në Medine…

Kështu, ditë pas dite e moment pa momenti, Qabja e Madhnueshme vazhdon të presë vizitorët e saj nga mbarë bota. Në një farë mënyre, ata marrin e japin me të dhe ndërmjet vete, ashtu në heshtje; bekime e prekje të thella besimi, që përhapen nga këtu në çdo cep të botës…

Në një mënyrë a një tjetër, Drita e këtij burimi Paqeje, përhapet me gjithësecilin vizitor drejt vendit të tij, shtëpisë, familjes, miqësisë, vëllazërisë… Dhe malli i saj nuk humbet asnjëherë mbi faqen e dheut..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, Qabja e Madhnueshme, më 16 mars 2017