Mekë, ditë e xhuma. Kalendari shënon 17 mars 2017. Në besimin tonë, e xhumaja është dita e fundit e javës. Është ditë festive. Festë që lidhet me besimin, me adhurimin, me harmoninë komunitare, atë në mesin tonë fillimisht dhe mbi gjithçka.
Rreth një orë a më shumë para ezanit të mesditës, rrugët e Mekës janë të mbushura me njerëz që vrapojnë të zënë një vend para Qabes së Madhnueshme, a diku afër saj. Edhe ata që gjejnë një qoshk në katin e dytë a në pjesët e reja të zgjerimit të saj, nuk duhet të ndjehen keq. Ata që vonohen më tepër, për shkaqet e ndryshme të angazhimeve të tyre, nuk e kanë këtë mirësi; mund të falen në një prej trotuareve që tejmbushen në kësi rastesh. Edhe në bodrumet e qendrave tregtare, në vendpushimet e shkallëve, në garazhet e mëdha të hoteleve luksoze përreth Xhamisë, gjithandej ka njerëz që zënë vende për të dëgjuar hytben dhe për të kryer ritualin e adhurimit më të veçantë të javës.
Një mbretëri e tërë është në këmbë për ta lehtësuar këtë ritual, duke nisur nga qarkullimi rrugor, disiplinimi i hyrjeve për në xhami, ruajtja e qetësisë dhe garantimi i saj, angazhimi për mbarëvajtjen e krejt kësaj ceremonie të rëndësishme për krejt muslimanët. All-llahu i shpërbleftë për këtë shërbim!
Hytbeja e xhumasë është një këshillë fetare e mbushur me ajete e hadithe, shoqëruar edhe me një lutje, thuajse uniformë, pas së cilës të gjithë bëhen gati për namazin me xhemat.
Asgjë nuk pipëtin, teksa hatibi mban predikimin e tij. Të gjithë dëgjojnë, meditojnë, reflektojnë, marrin e japin në një atmosferë të përqendruar adhurimi kolektiv.
Pas selamit të imamit, namazit të xhenazes me xhemat për të kaluarit e kësaj dite a një nate më parë, zakonisht njerëzit shpërndahen.
Sërish rrugët e tejmbushura të Mekës, nisin e bëhen dëshmitare të qindra mijëra besimtarëve (a edhe më shumë), nga mbarë bota, në ecejaket e tyre në shoqëri dhikresh, lutjesh, bamirësishë thuajse të fshehta, takimesh vëllazërore, ndonjë shkrepjeje momentale të një kujtimi të veçantë, por jo vetëm…
Mekë, ditë e xhuma. Sa shumë mesazhe mbart në vetevete, vetëm emri i kësaj dite që bashkon drejt një kibleje, mbarë muslimanët e globit. Dhe, kur e mendon, se kjo ditë përsëritet në fund të çdo jave në çdo cep të botës islame, jo vetëm në Mekë e Medine…
Por, kur sheh muslimanët në të kundërt të rrjedhës së Ditës së Xhuma, kupton se diçka nuk shkon. Kush ta ketë fajin vallë?
Mekë, ditë e xhuma. Krejt bota lutet në sinkron me thirrjen javore të namazit të xhumasë, që muslimanët bashkon në safe pa fund, drejt një kibleje të vetme, Zoti i së cilës është All-llahu, Lajmëtari i saj, Hz. Muhammedi (a.s), Libri i këtij njerëzimi, Kur’ani Famëlartë…
Mekë, e xhuma. Një ditë, jo si çdo stacion reflektimi..!
Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 17 mars 2017