Ishte ditë, prej atyre që peshojnë vite..!

Dita e sotme ishte një prej atyre ditëve që shënohen me shkronja të nurta emocionesh që zemrën mbajnë të lidhur pas besëlidhjeve të lashta, madhështisë dhe shkëlqimit që falë përkujtimi i tyre…

Katër stacionet e kësaj dite më dhuruan emocione të mrekullueshme, të cilat, si një pelerinë dritësuese, e veshën të sotmen time me bardhësinë shekullore që mbartin në vetvete…

1. Mali Theur, ndryshe: Mali i bindjes në mbështetjen e All-llahut edhe në situatat më të paimagjinueshme të mungesës së sigurisë për jetën, si ajo, ku gjendeshin të fshehur dy më të mirët e njerëzimit, Hz. Muhammedi (a.s) dhe besniku i tij, Ebu Bekri (r.a).

Nga poshtë, gjeografia e këtij vendi plot kodrina e male, duket se e ka ruajtur të paprekur kujtesën e asaj dite…

Duket se kudo jehon dashnia e madhe, besnikëria e pashembullt, vetëmohimi dhe shqetësimi i madh i Hz. Ebu Bekrit të paërsëristshëm, për jetën e Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit…

Zemrën ta përshkon si papritur, një fjali sa krejt bota, dy fjalë sa krejt universi, një dëshmi sa besimi dhe bindja, se All-llahu i Madhëruar nuk kishte hequr dorë nga i Dashtuni i Tij: “Mos u dëshpëro! All-llahu është me ne!”…

Sa shumë i lypset botës sonë sot, ky besim, kjo bindje, ky shërim! Sa shumë i nevojitet ymmetit islam në çdo cep të globit sot, kjo frymë e pashuar, ky frymëzim që zgjon nga hutia vetëdijen, të sotmen, të nesërmen…

2. Arefati, ndryshe: Mali i Mëshirës. Sa mall për këtë vend, që para ca muajsh, teksa vinim me të bardha, haxhilerë, dëshmonte një ndër shfaqjet më të mrekullueshme të besimit për mbarë botën… Atë ditë, Arefati ishte kryefjala e njerëzve elitarë në mbarë globin..!

Gjithandej, nga njëri cep i horizontit në tjetrin, sytë të zinin vetëm grupe me të bardha, lutje e përgjërime, hytbe drithëruese e përgjërime, si asnjëherë tjetër në ditët e një viti, që e pret Arefatin me padurim e mall…

Akoma sot, Arefati ruante në kujtesën e tij madhështinë e asaj dite, që përsëritet vetëm një herë në çdo vit; Dita e shpresës së madhe në mëshirën dhe faljen e All-llahut, Dita e bekuar e riorganizimit të jetës me besimin dhe dorëzimin në All-llah e për All-llah, Dita më e vështirë për shejtanin, për krejt shejtanët anembanë botës…

3. Çadrat e bardha të Minasë. Ndryshe: vendi, ku miliona haxhilerë nga mbarë bota, kalojnë së bashku ditë e netë të dëshmuara, si një bashkësi e përbotshme vlerash mbi vlerat, që frymëzon bashkimin mbi përçarjen, forcën mbi dobësinë, gjallërimin politik, ekonomik, edukativ, intelektual e bamirës mbi nënshtrimin e pajetë, sheriatin mbi sistemet e tjera të çalëta, paqen garante mbi modelet e tjera të sforcuara e aspak origjinale të kopjes së saj…

Çadrat e bardha, sot shkëlqenin në heshtjen e tyre… Sikur ndjenin mall për bijtë e tyre me rroba të bardha…

4. Hiraja Hijerëndë. Ndryshe: Mali plot prezencë, ku ndodhet një vendpushim, mbi të cilin lindi Dielli i pashuar i shpresës për mbarë njerëzinë!..

Hiraja e “Ikra-së”, streha madhështore e Lajmëtarit të fundit të Zotit, Hz. Muhammedit (a.s), zemra e të cilit s’pushoi së rrahuri Dashni e Shpresë për mbarë njerëzinë..!

Hiraja- vendi, ku asnjë fjalë nuk e përshkruan dot bukurinë e rrezes, ndriçimin e dritës, madhështinë e fjalës: “Lexo!”, sigurinë garante të botës, veshur me Islam!..

Dita e sotme, qe shkruar të vinte e tillë; plot dritë e mall, plot shpresë e bekim… Ishte ditë, prej atyre që peshojnë vite..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 18 mars 2017