Kështu qoftë deri në përjetësi..!

Dolëm sot, unë dhe im bir Hakimi, për të bërë tavaf… S’kishte shumë që kishim falur iqindinë në Harem. Hapat ndiqnin njëri-tjetrin. Ne të dy, krahaqafë, si dy shokë të vëllazëruar para duarve të Saj, ndiqnim në qetësinë e dhikreve tona ritmet e adhurimit përreth Shtëpisë së Zotit të botëve… Hera-herës, shiheshim në sy, duke këmbyer buzëqeshje të lehta, domethënien e të cilave s’e di njeri, pos nesh…

Namazi i akshamit na zuri duke falur dy rekatet e tavafit, teksa kënaqësia e pritjes së namazit të ri na kishte përfshirë aq shumë, sa ezani na mbushi me emocione që përkthejnë kënaqësinë e zemrës dhe qetësinë e saj, aty para duarve të Mekamit të Hz. Ibrahimit (a.s)…

Edhe jacinë e falëm përballë Saj. Pas namazit nuk folëm. Madje, as në sy s’e pamë njëri-tjetrin. Ecnim me kokën ulur, pak pasi ishim përshëndetur me Qaben e Madhnueshme… Me siguri, sabahun e ditës vijuese do i mungojmë… Nuk do mund të jemi në Harem, përballë Saj, ashtu siç do të donim të ishte pafundësisht…

Sërish, në një nga rrugët lidhëse të Haremit me stacionin e autobuzëve të shërbimit, teksa ne largoheshim, një grup i ri me ihrane të bardha vinin në drejtim të kundërt me ne. Vura buzln në gaz, edhe pse nuk kisha dëshirë.

“Lebbejkall-llahumme… leke vel-mulk…”, – dëgjohej, teksa fytyrat u shndrisnin nga gjurmët e mallit, tamam si ne, atë natë, kur me ihram mbi supe, vërshonim drejt Dashnisë së Saj…

Ky vend e kjo Shtëpi, pret e përcjell pa ndërprerje rrobëbardhë me telbije në gojë, që vijnë nga çdo cep i botës për t’u dëshmuar si pjesë e Ymmetit të atij Zotni, që në ditën e gjykimit, teksa të gjithë do të kenë hallet e llogarisë, ai me kokë në sexhde do të lutet: “Ymmeti im, Ymmeti im..!”

Tashmë, bashkë me Hakimin dhe vëllezërit e grupit, bëhemi gati drejt Shkodërloces, që ndër shekuj është dëshmuar si bijë besnike e kësaj fryme dhe këtij shpirti, që lidh cepat e mbarë Ymmetit Islam me Teuhid dhe Dashni për All-llahun dhe Fenë e Tij…

Kështu qoftë deri në përjetësi..!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, më 19 mars 2017