“Musliman do të thotë dituri, ndërgjegje, njerzillek, mirësjellje e lartë, thjeshtësi.
Musliman do të thotë vullnet që mbërrin majat e qiejve, me durim dhe punë të palodhshme për bashkimin e fjalës.
Muslimani nuk mendon ndryshe, vetëm se për arritjen e kënaqësisë së All-llahut.
O bir, nëse muslimani do të jetë i sinqertë me All-llahun, kjo botë do t’i vijë nga pas, duke i puthur të brendshmen e shapkave që ka veshur!”
Ky përkufizim i mrekullueshëm i muslimanit, bërë disa dekada më parë nga Shejkh Ahmed Keftaro, më ngacmoi, teksa shihja nga dritarja e aeroplanit vendin tim të shtrenjtë, në kthim nga vendet e shenjta.
Pavarësisht krizave që kalon ky vend, duke nisur nga keqadministrimi, zhvatja e pasurive të tij në heshtje, frika kolektive, korrupsioni, mungesa e sigurisë, laicizmi selektiv dhe islamofobia, degradimi politik, ai gjyqësor, arsimi, kultura, por jo vetëm.
Pavarësisht krizave të identitetit fetar dhe atyre të vetë institucioneve tona fetare në tranzicion prej 27 vitesh, degradimit të mendimit fetar dhe keqmenaxhimit të tij, mungesës së infrastrukturave solide për rimëkëmbjen e mendimit elitar islam, në veçanti, keqpërdorimit të trashëgimisë sonë shekullore nga pasionantë jokompetentë, keqinterpretimi i historisë sonë islame, por jo vetëm.
Pavarësisht kësaj dhe asaj, ekziston edhe një rrezik, para të cilit nuk duhet heshtur dhe duhet ngritur zëri me të madhe: ai i shuarjes së organizuar dhe institucionalizimi i heshtjes së zërit musliman në këtë shoqëri, për pasojë asimilimi fetar, ulja e nivelit, inferioriteti, inekzistenca!
Muslimani, përtej komploteve dhe tendencave, armiqësive shekullore dhe përpjekjeve të vazhdueshme kundër tij në jetë, punon pa ndërprerje, me sinqeritet dhe përkushtim, për aritjen e kënaqësisë së All-llahut në jetë!
Sepse angazhimi për fitimin e kënaqësisë së dikujt tjetër, pos Tij, ka rezultuar përherë flagrancë dëshpëruese për të sotmen dhe të ardhmen!
Musliman do të thotë të jetosh me krenari legjitime dhe i çliruar nga komplekset, cilido kompleks!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 20 mars 2017