Thirrja e amanetit… -7-

(Shënime të grumbulluara nga trashëgimia e hoxhallarëve të Shkodrës)

31.

“O Zot, lehtësoji punët e Ibrahim Hakiut”…

Ndër shënimet e lëna nga Hafiz Ibrahim Repishti, është edhe nënshkrimi i posedimit të një libri tefsiri në gjuhën arabe, si pjesë e librotekës së tij.

Me një kaligrafi shumë të pastër e tërheqëse në formë, ai shënon: “Posedues i këtij libri është Ibrahim Hakiu, i biri i Haxhi Hafiz Jusuf efendiut, i biri i Haxhi Ibrahim Repishtit. All-llahu e faltë atë, prindët e tij dhe mbarë besimtarët. Amin për hatrin e zotërisë së të dërguarve (sejjidul-murseline)”.

Shënimi vuloset me vulën personale, në brendësi të së cilës lexohet qartë ky tekst: “O Zot, lehtësoji punët e Ibrahim Hakiut. 1328”.

32.

Sh. Alja…

Shënimin: “Sh. Alja”, që mendoj se duhet të jetë i Sheh Ali Krujës, Prijës i Tarikatit Rifai në Shkodër, që njihej në masë si: Sheh Alja, e kam gjetur mbi faqen e brendshme të një broshure të plotë në gjuhën arabe, me dëmtime anësore, mbi ngjarjen e Israsë dhe Miraxhit.

Broshura në 28 faqe të mëdha, titullohet: “Hashijetul-Imam El-Arif bil-Lah Ebil-Berekat Sejjidi Ahmed Ed-Derdir ala kissatil-Israi vel-Mi’raxh”.

33.

“Meuludi Salati Sherif Budur”…

Në një dorëshkrim osmanisht, ku janë regjistruar vargje kushtuar Lindjes ë Begatë të Resulull-llahut (a.s), është regjistruar edhe ky salavat, nën këtë titull: “Meuludi Salati Sherif Budur”, si vijon: “All-llahumme sal-li efdale salatin ala es’adi makhlukatike sejjidina ve nebijjina Muhammed. Ve ala alihi ve sahbihi ve sel-lim. Adede ma’lumatike me midade kelimatike, kul-lema dhekerekedh-dhakirune ve gafele an dhikrikel-gafilune”

34.

“E zotëroi nëpërmjet dhurimit…”

Shënimin me dorën e të nderuarit Jusuf ef. Tabaku, në gjuhën arabe, e kam gjetur edhe në faqen e parë të një pjese të mbetur nga një libër sintakse arabe, ku shënohet: “E zotëroi nëpërmjet dhurimit, Jusufi Siddik, Myderriz dhe Myfti i Shkodrës, Zoti e faltë!” Dallohen edhe shenjat e vulës së tij.

35.

Hafiz Sabri Koçi…

Shënimin: “Prej librave të Hafiz Mahmudit, të birit të Tahir begut, të birit të Ibrahim begut. All-llahu i faltë ata dhe krejt besimtarët, ditën e gjykimit, për hatër të zotërisë së të parëve dhe të mbramëve. Amin. Viti (1)304 h.”, Shoqëruar me vulën, ku shënohet në arabisht, si vetë shënimi: “Mahmud Hamdi, 1300 h.”

Me një kaligrafi ndryshe nga e lartcituara, shënohet, po në arabisht: “Ky libër kaloi në dorën e të varfërit, të poshtruarit, nevojtarit për mëshirën e Zotit të tij të Pasur, Sabri, i biri i Idriz Koçit, All-llahu i faltë ata të dy, prindërit tanë dhe besimtarët, ditën e llogarisë. Amin!”

Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 17 prill 2017