Një këshillë në krahët e 10 ditëve të Dhul-Hixhes…

Tashmë kemi hyrë në 10 ditët e Dhul-Hixhes, për të cilat All-llahu i Madhëruar është betuar në Kur’anin Famëlartë. Këto ditë kulmojnë me Ditën e Arefatit, që pasohet nga Kurban Bajrami, që sivjet i bie të jetë më 1 shtator 2017.

Këshilla ime për krejt miqësinë virtuale (dhe përtej jush) është: Ruani gjuhën dhe zemrën! Atë që njeriu ka në zemër ia nxjerr gjuha! Paragjykimi, thashethemet dhe komplotet pas shpine ndaj muslimanëve, janë shenja të hipokrizisë dhe, hipokrizia ka merituar dënimin më të rëndë në ahiret, (përveç se në këtë botë ia heq ujin e fytyrës, personit të prekur prej saj)!?

Secili të kërkojë falje dhe t’i lutet All-llahut t’ia pastrojë zemrën dhe mendjen nga qibri (mendjemadhështia). Sindroma: “Unë jam më i mirë se ai”, është një kancer që vret të ditur e të paditur, të rinj e të vjetër, çdo të papjekur, sado të jetë rritur në gradët e dijes së gjuhës!?

Gjithësecili prej nesh të shtojë dhikrin dhe agjërimet nafile në këto ditë, duke i shoqëruar me lutje e ripërtëritje të besimit!

Faleni tjetrin dhe mos mendoni për llogaritë e tij, se askush prej nesh nuk është i denjë të gjykojë tjetrin e të bëjë ne gisht drejt tij! Mos harroni se në ditën e gjykimit: “Njeriu do të largohet nga vëllau i tij, nga nëna e tij, nga i ati, nga e shoqja dhe fëmijët…” Secili, atë ditë do të ketë shumë më shumë halle, sesa ajo që mendon sot!

Prandaj kijeni frikë Zotin dhe mos u bëni aleatë të shejtanit në mes vete!

All-llahu ju dashtë dhe ju lartësoftë! Ju dhashtë urtësi e mend për të bërë përpara në jetë, në rrugën e pastrimit të vetëdijes islame dhe botëkuptimit të jetuarit si njerëz të civilizuar në një shoqëri plot divergjenca!

Mos i jepni vëmendje çakejve të mesjetës, që herë pas here, rishfaqen si hije objektesh të komanduara pas perdeve të errëta të urrejtjes dhe përçarjes kombëtare, teksa ju shajnë fenë, familjen, ju e çfarë keni! Ky është zakoni i tyre i sëmurë!? Ndërsa ne si muslimanë, qëndrojmë lart, shumë lart, tamam si shqiponjat krenare në lartësitë qiellore! Lutuni për armiqtë tuaj të ngratë; Zoti i udhëzoftë, i faltë dhe i bëftë Njerëz të civilizuar!

All-llahu e madhnoftë ymetin islam dhe na bëftë dëshmitarë të Rimëkëmbjes së Madhe! Amin!

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, 22 gusht 2017