“Ore, polic është ky a çfarë?! All-llah, All-llah..!”

“Duroni dhe fitoni shpërblimin e Zotit tuaj, o haxhilerë! All-llahu e pranoftë haxhin tuaj, o vizitorë të Shtëpisë së All-llahut!

Mirë se keni ardhur në tokën tonë! Vallahi, ne jemi të gëzuar që ju keni ardhur në tokën tonë! Mirë se keni ardhur, o miqtë e All-llahut!

100 herë: Mirë se na keni ardhur! Lutuni e bëni dhikër, duroni dhe prisni shpërblimin e All-llahut, o haxhilerë të Shtëpisë së All-llahut”…

Këto fjalë të mbushura me ndjenjë e pathos, duke vështruar nga haxhilerët e shumtë që shkonim për të kryer ritualin e goditjes së gurëve, i thoshte me të madhe një punonjës i shërbimit të sigurisë, dje pasdite afër Xhemerateve.

Një haxhi egjiptian bri meje, foli me zë të lartë: “Ore, polic është ky a çfarë?! All-llah, All-llah..!”

Dhe, kishte të drejtë të habitej me modelin e mrekullueshëm të të riut saudit, që me zërin dhe pamjen e tij, bëri turmën e madhe të harrojë zamallahinë e momentit dhe të shpërthente në dhikre, që mbushën zonën me tekbire e falënderime ndaj All-llahut të Madhëruar…

Një fjalë e mirë ndërton e mbjell shpresë, ngre lart moralin, bëhet urë e pathyeshme drejt botës së vlerave. Një fjalë e mirë mbron nga e keqja, teksa kësaj të fundit, i mjafton një shkëndijë e pabesë, për të ndezur një zjarr që veç djeg dhe mbush atmosferën me smog e tymnajë…

Ndërkohë, “shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe, që është shkulur mbi tokë dhe që nuk ka bazë.”, siç na mëson ajeti 26 i sures Ibrahim.

Ishte pasdite. Meka gëlonte nga haxhilerët; sa në Mina, sa në tavaf, ndërkohë ne me flamurin kombëtar, që dukej diku larg në horizont, po i afroheshim vendit për të “gjuajtur shejtanin” me 21 guralecët e radhës në dorë…

Bashkë me thirrjen: “Bismilah, All-llahu ekber”, gjuajta edhe ata, që të parët vrapuan të na prishin Festën, (tamam siç bënë edhe me 25 qershorin që sapo kaloi, edhe me bekimet e disave prej nesh); ca me mjeshtrinë djallëzore të fjalës e lapsit, ca me mjerimin e tyre intelektual, ca me mllefin e zemrës.., e ca, edhe nga paaftësia për të thënë atë që duhet thënë, ashtu si duhet thënë, në kohën kur duhet thënë..!

Gjuajta edhe ata, që të parët i hoqën frenat e logjikës dhe kufirit të cakut personal, gjuhëve të palara, duke guxuar të përdhosin Festën e komunitetit më të madh në vend, (bashkë me secilin prej nesh), teksa konfirmuan veten si plehra të pariciklueshëm; ndonëse pedagogë e njerëz oborri me ofiqe e llagepe, por jo vetëm ata..!

Pastaj, sërish m’u kujtua punonjësi i shërbimit të sigurisë, që me zë zemre, na drejtohej me të madhe: “100 herë: Mirë se na keni ardhur! Lutuni e bëni dhikër, duroni dhe prisni shpërblimin e All-llahut, o haxhilerë të Shtëpisë së All-llahut”…

Më erdhi ndër mend Hoxha, rahmet pastë, kur diku nga fundi i shekullit që shkoi, e thoshte publikisht, gjatë derseve të xhumasë: “Shpresa ime, madje bindja ime është, se shekulli 21 është shekulli i Islamit!”

Këtë duhet të kuptojë mirë secili prej nesh, duke injoruar me nënqeshje klithmat histerike të kohëve që jetojmë…

Imam Muhamed B. Sytari
Mekë, 3 shtator 2017