“A ka njeri, ta takojmë e të flasim me të?”…

Ma kujtoi sot, një lexim mbi jetën e Kryemyftiut të shkuar të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro (1912-2004), rrëfimin e përkthyesit të tij besnik, Dr. Faruk Akbik… (E kam njohur nga afër, një burrë i sertë, që fliste një anglishte të pastër dhe që hidhte hapat me kokën ulur, thuajse vetëm mendonte dhe kurrë nuk fliste…)

Ai tregon se gjatë një udhëtimi në ShBA, ku Kryemyftiu ishte ftuar për të mbajtur leksione në disa universitete atje, një natë, pasi po hynin të lodhur në hotel, Hoxha e pyet: “A ka njeri, ta takojmë e të flasim me të?”

Dr. Akbik, i habitur ia kthen: “Zotëria im, unë jam i ri dhe jam lodhur, po zotëria e jote që është edhe në moshë, edhe i sëmurë?!”

Duke buzëqeshur, Hoxha i kishte thënë: “Kam frikë, mos më pyet All-llahu në ditën e llogarisë, për dikë që mund ta kisha takuar për ta ftuar në Islam.., se përse s’e bëra!”

Përherë e më shumë më mundon gjuha e ashpër e përballjeve me realitetet islamofobe, partizanët e saj dhe shoqërinë tonë që rrëshqet si pa u ndjerë drejt afetarizmit dhe shthurrjes materiale.

Ne jemi thirrës islamë, kemi detyrime pa fund ndaj shoqërisë sonë shqiptare, që e jeton Islamin prej shekujsh, në harmoni me shpirtin dhe kulturën që rrezatojnë ajetet dhe trashëgimia e të dërguarit të Zotit!

Sot, pas dekadave të lodhshme të mbushura me pezëm e gërryerje shumëllojshe në trupin e vetëdijes islame kombëtare, jemi këtu, jemi këta!

Ne jemi thirrës islamë dhe detyra e jonë është të thërrasim popullin tonë në Islam; në fenë e baballarëvve të largët dhe atyre të afërt! T’i themi kujtdo që punon pa ndërprerje kundër kësaj Thirrjeje të shenjtë, se Islami është ajka e shpalljeve hyjnore, bashkimi i Ma të Mirëve nga shekujt e shkuar, garanci për të prodhuar modele garante që i sigurojnë të sotmes dhe të ardhmes besimin me dije, moralin me ndershmëri, civilizimin me drejtësi, frikën e Zotit me dashuri, respektimin e shenjtërive me tolerancë, edukimin me logjikë, ruajtjen e paqes me pastërti, distancimin nga dhuna me dinjitet, humanizmin me respekt të origjinës njerëzore, mbrojtjen e të dobëtit me krenari, ndërtimin e urave të komunikimit me dialog etj.

“Kam frikë, mos më pyet All-llahu në ditën e llogarisë, për dikë që mund ta kisha takuar për ta ftuar në Islam.., se përse s’e bëra!”

Është e madhe kjo fjali.., më e madhe se krejt zhurmat që shkaktojnë përplasjet e pakuptimta që dikush i orkestron pas kuintave dhe në kurriz të së sotmes dhe të ardhmes së shoqërisë sonë dhe të mbarë njerëzimit..!?

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 27 shtator 2017