Mot vjeshte… Stinë malli e Dashnie për Ty..!

Mot vjeshte… Koha më e mirë për të shtegëtuar drejt Dashnisë Tande, në atë prag, ku dielli mezi pret të vijë agimi, për t’u kthyer tek caku i takimit me burimin e prehjes dhe qetësisë… Pa këtë takim të përditshëm, dielli i botës sonë nuk do të ngrohte dot e, drita s’do kishte kuptimin e fjalës Nur…

Mot vjeshte… Gjithandej, gjethet e zverdhura nisin të bien qetësisht, për t’u rikthyer në tabanin e vjetër të origjinës së natyrshme… Veç zemra, teksa mbështetet mbi prehërin e tokës Tande, nuk ndjen vjeshtë e dimër.., as pranverë e verë nuk ndjen..! Aty, si sot e mot, ajo gëzohet me përkujtimin e emrit Tand, teksa frymon oksigjen përzier me salavate drejtuar Zotnisë Tande..!

Mot vjeshte… Përtej horizonteve të paqta të ditëve me diell, çdo qelizë e qenies së përmalluar në këtë stinë Dashnie, ndjen praninë Tande, o Ma i Dashtun i zemrave, ja Resulull-llah..!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 28 tetor 2017