Duke lexuar simbolikat e fjalëve të Hafiz Sabri Koçit, Gazaliut dhe Keftaros…

“Neve kemi kenë t’penguem për pesëdhjetë vjet me radhë! Kemi pasë frikë t’themi se ka Zot! Kemi pasë frikë t’adhurojmë të Madhin Zot! Kemi pasë frikë t’kujtojmë se ka Barjam dhe Ramazan! Kemi pasë frikë se ka Netë t’Mira e të tjera!

Kjo qe nji provë! Qe nji provë e fortë për me vërtetue sesa e thellë asht dashtunija e Zotit tek krijesat e Veta!”

Këto fjalë i dëgjova mbrëmë në një fragment, shkëputur nga një prej hytbe të pakëta të regjistruara nga predku i Hafiz Sabri Koçit… Ka hyrë në histori ky burrë, edhe pse akoma mendoj dhe besoj se sirret dritësisë së tij kanë ngelur peng diku, sa larg, aq afër…

Hafizi, të cilin kam pasur fatin e mirë ta dëgjoj sa e sa herë, por edhe ta intervistoj e të rri me të vetëm për vetëm, edhe asokohe, kur fare pak kush e vizitonte në shtëpinë e tij në kryeqytet, (për shkak të moshës së thyer dhe lodhjes), vinte nga një shkollë, zinxhiri i së cilës fillonte në Shkodrën e vitit 1952, para duarve të H. Muhamed Bekteshit dhe përfundonte në Medinen e Ndriçuar, në ditët më të bukura dhe më të shtrenjta të historisë së njerëzimit… (Nuk e di se a u trashëgua më tej brezit të Hafizit, a jo, ai zinxhir, por di me siguri se një grupi prej nesh, fëmijët e Hafizit, në moshë, na u dha rasti të kapemi pas një cope të vetme të mbetur prej tij, duke u bërë shpirtërisht pjesë e tij, me plot krenari dhe nder, në gjurmët e traditës sonë dhe bardhësisë së saj..!)

Tash që po afron data e shënuar e përkujtimit të rihapjes së xhamisë së parë në Shqipëri, pas dekadave histerie dhe fortunash të pashembullta ateo-komuniste, bashkë me të cilën datë, edhe Hafiz Sabri Koçi, edhe vetë dita e 16 nëntorit 1990, edhe Shkodra, hynë se bashku në historinë e lavdisë së shpirtit të kombit shqiptar; këto fjalë të thëna prej Hirësisë së Tij marrin një vlerë e një peshë të madhe, para të cilave na takon të ndalemi në respekt, por me plot meditim e gatishmëri reflektimi!

Fjalët e Hafiz Sabri Koçit, në kontekstet e realiteteve të muslimanëve shqiptarë sot, më risjellin në vëmendje eruditin dhe mendimtarin e shquar egjiptian, Shejkh Muhammed El-Gazali, bashkëkohës i Kryemyftiut tonë rahmetli.

Gazaliu i kohës sonë, shkruan: “Ka një sulm të madh që i drejtohet fesë, pas shpine! … Rruga që kanë vizatuar për muslimanët, është largimi dhe distancimi nga feja e tyre dhe rregullat e saj, eliminimi i simboleve dhe emblemave! Kërkohet që të angazhuarit në shoqërinë islame, të jenë një model, pa ngjyrë, pa shije dhe pa erë. Një lloj, që nuk njihet për nga identiteti dhe ngjyresa fetare dhe ajo e moralit…!” – (Shejkh Muhammed El-Gazali, “El-gazvuth-thekafi jemteddu fi feragina”, botimi i parë, Kajro, 1998, f. 126)

Siç vihet re, ka një emërues të përbashkët në dy citimet e lartshënuara; lufta kundër Islamit dhe muslimanëve! Frikësimi dhe mjegulli i rrugëtimit solid drejt përgjigjes së thirrjes hyjnore: “O ju që keni besuar, hyni të gjithë në rrugët e paqtimit (në Islam) dhe mos ndiqni hapat e shejtanit…” – (El-Bekare: 2018)

Dhe, teksa lexojmë të shkuarën e shekujve të afërt dhe të sotmen, vërejmë se format e kësaj lufte janë të llojllojshme: diku politikisht, diku kulturalisht, diku ushtarakisht, diku ekonomikisht, diku historikisht, diku me zjarr e diku me mëndafsh..!? (Më e keqja është kur në thelb të lëvizjeve islame mbillen fidanë hibridë, pa ngjyrë, pa aromë, pa shpirt, pa puls, pa nerv, robotikë, që përballë krijuesve të tyre qëndrojnë si ushtarë të bindur, pa arsye e logjikë! Këta, të përkrahur edhe nga politika të caktuara, vegjetojnë të qetë, sado vazhdojnë të kryejnë funksionet për të cilat janë ku janë, si propagandues të një Islami “pa yndyrë”! Është sprovuar jo pak bota e jonë islame nga këto modele, që janë përhapur kudo në trupin e ymetit si tumore vdekjeprurëse!?)

Sot, në prag të përvjetorit të 27-të të rikujtimit të simbolikës së Hafiz Sabri Koçit dhe 16 nëntorit 1990, ne si muslimanë shqiptarë e kemi për borxh moral ndaj fesë dhe kombit, ndaj hoxhallarëve të shkuar, (një pjesë e mirë e të cilëve, ende nuk janë studiuar e vlerësuar si e sa duhet për çfarë ishin e çfarë dhanë, sikurse një pjesë tjetër, të cilët janë prezantuar sipas interpretimeve dhe analizave të ngushta dhe cunge, në duar laikësh me matricë islame krahësh!?), ndaj traditave, ndaj shekujve të lavdishëm të Hilafetit tonë, ndaj të sotmes së fëmijëve dhe rinisë sonë, si dhe ndaj të ardhmes; të ndalemi e të shohim se ku jemi dhe ku po shkojmë?!

Lexova sonte një citim largpamës të Kryemyfiut sirian, Hoxhës, Shejkh Ahmed Keftaro, kur thoshte në një prej ligjëratave të tij: “A e lexojmë ne sot, Kur’anin, si besimtarë, a si zullumqarë? Leximi i besimtarëve është leximi për mësim dhe veprim, ndërsa ai i zullumqarëve është thjeshtë për lexim sipërfaqësor, për analiza gramatikore, për regulla texhvidi, për idgamin dhe kalkalenë… Prandaj, ne duhet ta lexojmë Kur’anin si udhërrëfim hyjnor, si urdhëresa të shenjta që na drejtohen, për t’i kuptuar dhe praktikuar, për dije dhe zbatim të menjëhershëm në jetë! Kështu lexohet Kur’ani!”

Me fjalë të tjera, sot, pas 27 vitesh nga ajo thirrje e shtrenjtë e Hafiz Sabri Koçit, thirrje që zgjoi nga gjumi letargjik Shkodrën, Rozafën, tokën e topitur shqipate dhe vullnetet e plogështa, të vrara moralisht e të sakatosura deri në mpirje, e kemi për detyrë karshi kësaj date të lavdishme historike, që shënon Ndryshimin dhe Përmbytjen e sprovës, të pyesim: Ku jemi dhe ku po shkojmë?

Sa peshon sot, emri musliman në realitetet shqiptare? Sa peshojnë muslimanët me Islamin e tyre të kthjellët qelibar në jetën e përditshme shqiptare, në parlament, në politikë, në ekonomi, në drejtësi, në media, në kulturë, në kufijtë e paprekshëm të frymës së harmonisë kombëtare, që përkundet në djepin e ajeteve kur’anore, haditheve pejgamberike dhe traditave shekullore të pikave të shëndosha të referimit tonë përgjatë shekujve e në çdo fushë të jetës, ku individi musliman është i thirrur të prodhojë mirësi, mbështetur në pragun e perfeksionit, dashnisë për vëllanë e tij njeri dhe vullnetin për ta ndërtuar jetën me Dritën e udhëzimit?!

Ku është e drejta dhe respektimi i kufijve të patolerueshëm sot, teksa as një as dy, Islami dhe muslimanët nëpërkëmben, shkelen e etiketohen mjerisht me llagepe, që botërisht dihet se nuk u përkasin!?

Ku përpëliten sot, e 27 vite të shkuara në tymnajat e hirta të premtimeve demagoge, pronat vakëf, e drejta e plotë e shfrytëzimit dhe përfitimit legjitim prej tyre në rrugën e rimëkëmbjes së merituar të aktivitetit dinamik të Thirrjes Islame tek ne, ndërtimi i institucioneve të domosdoshme, (jo të izoluara e sektare), për edukimin e rinisë sonë, (që përballet mjerisht me një bombardim kulturor e shpirtëror), larg ndikimeve kapriçioze që fryjnë herë nga lindja e herë nga perëndimi, zhvillimi i arsimit fetar mbi bazat e traditës, jo veshjes me petkun e përulësisë fallce e ndjenjës së inferioritetit, përfitimi nga shkollat e botës islame, nëpërmjet të diplomuarve të urtë në mesin tonë, për ndërtimin e një strukture të fortë e solide, që nuk mund të lëkundet përpara sfidave e përballjeve dinake, nxitja e zhvillimit ekonomik, organizimi përtej dyerve të ngushta e të mbyllura të xhamive plot dritë, çlirimi nga ligjërimet folklorike e të mbushura me mediokritete, plot artificializëm, sidomos kur përmenden terma të tilla, si: “kombi”, “toleranca”, “harmonia”, që dëgjohen vend e pa vend nga shtatanikë thatimë mendërisht e intelektualisht, edhe në mesin tonë, duke ia humbur këtyre fjalëve të paqta, bukurinë e natyrshme, forcën e kumtimit, madhështinë e simbolit!?

Ku jemi sot, teksa poshtë e përpjetë, duket sikur na “udhëzojnë”, si në heshtje të pakuptueshme drejt pasivitetit dhe inferioritetit në mendim, në arsyetim e ligjërim, në veprim të shëndoshë e qëndrime krenare legjitime, në përpjekjet për ndërtimin e urave solide të dijes, mëshirës, harmonisë e dinjitetit, si pjesë e shëndoshë e aspak e anashkalueshme e shoqërisë ku jetojmë!?

Duket, se përtej horizonteve të ngushta të këtij labirinthi, dëgjohen zhurmat e kërcimit të shthurrur të dikujt që deliron në vetëposhtërim, teksa dëgjon vargjet e poetit të vjetër, izolueshëm nga bota dhe drita e së ardhmes: “Më jep të pij ca gota dhe më këndo për kujtimin e Sulejmës, bjeri kemanes dhe thurr tinguj”..!?

Është kohë zgjimi nga dehja dhe duhmat mbytëse të rutinave pa dritë simbolesh dhe thirrje heronjsh, si ato që përgatitemi të përkujtojmë pas pak ditësh!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 14 nëntor 2017