Islami, udhërrëfim për fisnikërimin e racës njerëzore…

Shumë gjëra kanë ndryshuar në këto vite, shumë ujra kanë rrjedhur, shumë të pathëna janë thënë e shumë të tjera janë shuar bashkë me të zotët…

Njerëzimi nuk është më ai që ishte, bota jo pak ka ndryshuar, ekuilibrat e raporteve në mes besimit, realiteteve njerëzore, mendjes dhe të shenjtës, jo pak kanë degraduar!

Përtej abuzimit me fenë dhe mësimet e saj, përtej gabimeve njerëzore a fajeve të pafalshme, përtej qëllimeve të mira në vepra të gabuara, a qëllimeve të fshehta në vepra magjepsëse.

Përtej të thënave e të pathënave, aleancave të dukshme e të padukshme, diktimeve mercenare, indoktrinimit të verbër a rutinës pa taban.

Përtej përpjekjeve për ta futur mendjen dhe ndërgjegjen njerëzore në kallëpe të përgatitura laboratoreve, a neglizhencës së qëllimshme për t’ia dorëzuar anarshisë dhe anormalitetit të funksionimit të tyre.

Përtej lëvizjeve të padukshme për ta heshtur zërin e logjikës, a përhapjes në masë të formulave populiste që marrin peng arsyen e shëndoshë dhe verbojnë vizionet e largëta.

Përtej asaj dhe kësaj, (e shumë e shumë më shumë se kaq), fakti që Islami ka ardhur si udhërrëfim për fisnikërimin e racës njerëzore; as ka ndryshuar, as mund të ndryshojë!

S’do mend, ashtu si e tha edhe Imami Më i Madh i Ez’herit Sherifë, prof. dr. Ahmed Et-Tajjib, para dy ditësh në Romë, (në prani edhe të Papës së katolikëve): “Sikur të ishte feja përgjegjëse për abuzimin e abuzuesve me të, civilizimi ynë do të ishte sot, përgjegjës për dy luftra botërore, si pasojë e të cilave u shuan 75 milionë frymë, sikurse do të mbante përgjegjësi për lumenjtë e gjakut që rrjedhin sot, në Siri, Irak, Jemen, Libi, Somali, Afganistan etj! Por, këtë gjak s’e derdhin fetë, por padrejtësitë e njeriut ndaj vëllasë së tij njeri!”

Dhe, sikurse thuhet edhe në Kur’an: “Është e vërtetë se shumica e ortakëve i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit”- (Sad: 24).

Dhe, në krejt rrjedhat e historisë së njerëzimit, njeriu nuk ka dëshmuar paradoks më të madh se marrëdhënia e tij me ortakun e tij njeri, përveç një momenti, kur në horizontet e tanësisë kumboi bindshëm fjala e madhe: “Nuk ka dallim në mes një arabi dhe një axhemiu, as në mes të bardhit dhe të ziut.., përveçse në përkushtim!”…

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, 9 nëntor 2017