Amani sot, u gdhi në shi…

Amani sot, u gdhi në shi… Fytyrat e njerëzve janë të qeshura. Janë të lumtur për bekimet që solli kjo ditë. “All-llahu na e pranoi lutjen e shiut!”-, thotë Mustafai, burri me flokë të thinjura e me fytyrë të qeshur, që na shoqëron…

Si t’ia them, se edhe mua më pëlqen kur bie shi, më tundon dinamika e piklave që ndjekin njëra-tjetrën në një rregull të pashoq, më struk në botë kujtimesh, më merr me të mirë, aq sa, nganjëherë, më kthen vite pas në kohë, deri në atë pikë, sa askush s’e kupton sirrin e lidhjes sime me aromën që përhapet horizontesh si rezultat i lëvizjes së tyre…

Asht aromë që mbush me mall e frymë vështrimesh, realitetet e heshtura, por edhe ato të zhurmshme të përditshmërisë dhe përtej saj… Si t’ia them gjithë këto Mustafait..? Vendos të mjaftohem vetëm me një buzëqeshje, në pasqyrën e së cilës, kam ndjesinë, se ai mund të shohë prekjet e ndjesisë sime pozitive, pas sihariqit të tij. Dhe, kaq mjafton!

Jashtë fryn erë. Parfumi i saj sjell me vete mallin përtej Malit të Shehut, frymën e liqenit të Tabarijes, mistikën e Majës së Murgeshave, pas së cilës eliksiri që përhapet nga Nasira, mbush hapësirat me shfaqjen e paqtë të bariut të heshtur, të Mirit, Hz. Isa… Kalon lumin e Jordanisë dhe pushon diku në gjurmët e mekamit të Hz. Shuajbit arab, kalon bri Jusha ibn Nunit, djaloshit besnik që shoqëronte hijerëndin Hz. Musa, në udhëtimin drejt Mësuesit të urtë, plot dije e sirre, Hizër famëmadhit…

Jashtë, era e këtij prag muzgu, përzier me bekime qiejsh mbi Sham Sherif, më mbush me frymë nostalgjie e frymëzime lutjesh në tokën e zotërive të mi; Ebu Ubejde Amir ibnul-Xherrah, për të cilin, Ma i Dashtuni thoshte: “Çdo ymet e ka një besnik, ndërsa Besniku i këtij ymeti është Ebu Ubejde…”, Muadh ibn Xhebel, për të cilin, Ma i Shtrenjti thoshte: “Më i Dituri i ymetit tim për hallallin dhe haramin është Muadh ibn Xhebel!”… Aty, bri tij, pushon edhe i biri, Abdurrahmani… Aty është edhe Shurehbil ibn Haseneh, shërbëtori besnik i Resulull-llahut (a.s) për shkrimin e Kur’anit, komandanti çlirimtar i Kudsit Sherif, Sirisë e Jordanisë, në kohën e Ebu Bekrit besnik…

Amani sot, u gdhi në shi… Më fali paqe, mëshirë e dritë aveniri, rrethuar nga kujtime e përshpirtje pejgamberësh, sahabësh e eulijashë, kujtimi i të cilëve i fal botës garanci paqeje, afrimi e vëllazërimi, nën kupolën e begatë të hapësirës së Israsë dhe Miraxhit…

Akoma fryn erë dhe bie shi… Amani sonte, ka marrë pamje Damasku, përzier me ëmbëlsi Medineje, që zgjon mall e dashni për Ty, ja Resulull-llah, në këtë stinë dritësuese për zemrat, që mban emrin: Rebiul-evvel…

Imam Muhamed B. Sytari
Aman, 21 nëntor 2017