Edhe shiu.., ja Resulall-llah..!

Edhe shiu, sa herë shfaqet në horizont, s’e fsheh dot mallin për Ty, djegien për takimin me tokën Tënde…
Edhe shiu merr leje, përulur para Dyerve të qiellit, si kurban i dorëzuar në pritje…
Edhe shiu bjen në sexhde, kur puth tokën Tënde, me sy mbyllur nga gëzimi…
Edhe shiu, sa herë kthehet pranë kujtimit Tënd, nis e vezullon, si diell drite…
Edhe shiu, dimër-verë, të çon salavate…
Edhe shiu, me rrëmbim të dashuruarish, vrapon drejt Portës Tënde, pa fjalë, veshur me heshtje muhibësh, si hirkë edepi…
Edhe shiu, si trungu i hurmës, meket në mall për Ty, për Dritën Tënde…
Edhe shiu, si deveja e tërbuar, nga shfaqja e dritës Tënde horizontesh, përulet i dorëzuar…
Edhe shiu, vetmitar, mbush qiellin me paqe bekimesh, kur drejt Teje niset…
Edhe shiu, në pasqyrën e pirgjeve, si pasqyra qiejsh, vizaton me ylber ngjyrash, mallin e pafshehur dot.., për Ty!
Edhe shiu.., në këtë stinë salavatesh, shkrihet i dorëzuar para pragut Tënd, si zemzem lartësishë piklon.., ja Resulall-llah..!
Imam Muhamed B. Sytari
Aman, 22 nëntor 2017