Te mekami i Hz. Shuajbit (a.s)…

Vizita te mekami i Hz. Shuajbit (a.s), më mbuloi me një përshpirtje të veçantë. Një fymëmarrje e thellë, si dritë e padukshme që të ndriçon nga brenda pa u ndjerë… Një nur i papërlyer, që të merr për dore e të fut në dritësinë e Kur’anit Famëlartë, ku gjurmët e Hz. Shuajbit (a.s) janë të shumta, të mbushura me mesazhe e stacione, ku ia vlen të ndalesh e të reflektosh…

“Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!…” – (Hud: 87), ishte reagimi plot kundërshtimi plot ironi i shoqërisë së tij… Jo vetëm kaq!

“Ata thanë: “O Shuajb, ne nuk kuptojmë shumë nga ato, që na thua ti dhe të konsiderojmë të dobët midis nesh. Sikur të mos ishte farefisi yt, do të të kishim mbytur me gurë; ti nuk je i respektuar te ne.” – (Hud: 91)…

Realitetet e sotme, me të cilat përballemi, janë pasqyrime të historive që përsëriten në thellësitë e ndërgjegjes së njerëzimit dhe rrugëtimet e tij.

Rruga e besimit është besëlidhja e jonë përballë kujtdo që na konsideron të dobët a të fortë, të butë a të ashpër, thirrës drejt pastrimit dhe lartësimit të individit e shoqërisë, a jo!?
Rruga e jonë është rruga e Tyre..! Besëlidhja e jonë është besëlidhja e Tyre..! Thirrja e jonë, qoftë Thirrja e tyre..!

“Ai tha: “O populli im, mendoni pak! Nëse unë kam provë të qartë nga Zoti im, i Cili më ka furnizuar me begati të mira nga ana e Vet, a të mos ju udhëzoj në rrugën e drejtë?! Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve. Unë dëshiroj vetëm të përmirësoj atë që mundem. Ndërsa suksesi im varet vetëm nga
Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem. (*) O populli im, kundërshtimi ndaj meje le të mos ju çojë kurrsesi që t’ju ndodhë ajo, që i ndodhi popullit të Nuhut ose popullit të Hudit apo popullit të Salihut; mos harroni se edhe populli i Lutit nuk është larg prej jush. (*) Kërkoni falje nga Zoti juaj e kthehuni me pendim tek Ai. Me të vërtetë, Zoti im është Mëshirëplotë dhe gjithë dashuri.” – (Hud: 88-90), iu drejtua i urti Shuajb (a.s) popullit të tij…

Sa shumë kemi nevojë ne thirrësit islamë të kësaj kohe, të kthehemi ne të parët nga metodat e të dërguarve të Zotit në Thirrjen tonë; ata ishin shembuj suksesi garant, udhërrëfyes për t’u ndjekur e formula të bekuara për t’u praktikuar në një rrugë të mbushur me pengesa e vështirësi, ku bartësit e amaneteve kanë për detyrë të kryejnë shërbimin, jo të marrin pozitat e gjyqtarëve të pamëshirshëm..!?

Shoqëria e jonë ka një mijë e një halle, por zemrat e shqiptarëve janë të mbushura me dritë e bardhësi! Nëse troket, si e kur duhet në ato dyer fisnike, pa dyshim që do të hapen, bardhësia do ta gjejë rrugën për t’u përqafuar me dritën e Thirrjes, për të mos u ndarë më për asnjë çast…

Më tërhoqi vëmendjen shënimi i njërit prej thirrësve të shquar emiratas, (me të cilin pata rast të takohem e të këmbej mendime këtë Ramazan, në një sofër të gjerë me thirrës islamë të afirmuar të kohës sonë), thoshte: “Mos më fto në fenë e Muhammedit (a.s), me sjelljen e Ebu Xhehlit!”…

Imam Muhamed B. Sytari
Aman, 25 nëntor 2017