Koha, Mësuesit, kujtimet…

Koha, sa më shumë kalon, aq më shumë na nxit të mos harrojmë tabanin, ku lidhëm besën për t’i shërbyer kësaj Feje të Madhnueshme Islame, me sa të na jepet prej mundësive, deri në frymën e fundit!

Sikur na thotë me madhështinë e emrit që mbart, se kush harron tabanin a devijon prej tij, nuk mund të ketë dritë e të ardhme, nuk mund të bëjë dritë e s’mund të jetë burim i saj për të ardhmen…

Na mëson të kapemi përherë e më shumë pas vlerave të Fesë, shtyllave të besës sonë shekullore, veshur me dinjitet e krenari, kryelartësi legjitime e përulje të natyrshme përballë dijes dhe rrezeve të saj!

Thirrja shoqëruar me sjelljen e veprën, fjalën e mirë dhe zemrën e dlirtë, ndërtuar me sinqeritet e përmendje të vazhdueshme të Krijuesit të gjithçkaje..!

Na mëson të mos harrojmë kujtimin e të Urtëve, që na dritësuan rrugën me shembullin e tyre, me dije e urti, me durim e mospërulje para hirtësive…

Ata qëndrojnë në piedestalet e vërteta të asaj pjese të botës, ku vlerat e së vërtetës krijojnë një imunitet përreth kujtimit të tyre të paqtë dhe njëkohësisht një perde të padepërtueshme nga errësirat hipokrite, servile e xhahile të shitjes së dinjitetit, moralit e vetë fesë..!?

Koha, Mësuesit, kujtimet.., si një përzierje e nevojshme nuranite, e domosdoshme në rrugëtimet pa rrezik devijimi!

All-llahumme mëshiroji Mësuesit tanë, mos na ndaj nga kujtimi i tyre dhe na ringjall me ta në ditën e gjykimit!

Muhamed B. Sytari 
Shkodër, 5 dhjetor 2017