Pastroni zemrat për njëri-tjetrin, po vjen Ramazani!

Enes ibni Malik (r.a) tregon: “Po rrinim me të dërguarin e All-llahut (a.s), kur tha: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” Kur, u shfaq një burrë prej ensarëve (medineli), mjekra e të cilit pikonte nga abdesti, me të majtën mbante shapkat e tij.

Ditën e nesërme, Resulull-llahu (a.s) tha të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq i njëjti person.

Ditën e tretë, Resulull-llahu (a.s) tha të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq sërish i njëjti person. (Në një prej transmetimeve, thuhet se ai person quhej Sad ibn Malik)
Kur Resulull-llahu (a.s) u largua, Abdullah ibni Amr (r.a) iu vu nga pas atij personi, për të cilin Pejgamberi kishte thënë se është prej banorëve të xhennetit.

Pasi u takua me të, i tha: “Kam bërë fjalë me babain tim dhe jam betuar të mos hyj në shtëpi për tre ditë. Nëse ke mundësi të më strehosh, sa të kalojnë këto tre ditë.” Dhe, zotëria e tij pranoi duke e mirëpritur në shtëpinë e tij të riun që i kërkoi strehim.

Enesi (r.a) tregon se Abdullahu (r.a) i kishte treguar shokëve të tij më pas, se kishte fjetur tre netë në shtëpinë e zotërisë së përmendur. Nuk e kishte parë të ngrihej e të falej natën, vetëm se kur i dilte gjumi, bënte dhikër dhe tekbir, deri në momentin e namazit të sabahut.
Thotë: “Dhe nuk e kam dëgjuar të flasë, vetëm se fjalë të mira”.

Pastaj vazhdon e tregon: “Dhe, kur kaluan tre netët dhe u habita nga e pakëta e veprave të tij, i thashë: O rob i All-llahut, nuk ka pasur në mes meje dhe babait tim asnjë mosmarrëveshje a grindje, por e kam dëgjuar Resulull-llahun (a.s) të thojë tre herë: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, në të treja herët na shfaqeshe ti. Prandaj, pata dëshirë të flej në shtëpinë tënde dhe të vështroj veprat që bën, që të ndjek rrugën tënde, por nuk të pashë që bëje ndonjë punë të madhe! Më thuaj, çfarë të bëri të mbërrije në atë gradë për të cilën na foli i dërguari i All-llahut (a.s)?”.

Sahabiu i nderuar iu përgjigj: “Asgjë përtej asaj që pe!”
Thotë: [Dhe, kur mora të largohem prej tij, më thirri dhe tha: “Asgjë përtej asaj që pe, vetëm se nuk kam në zemrën time asnjë ndjenjë mashtrimi për ndonjërin prej muslimanëve dhe, nuk ia kam zili askujt për ndonjë të mirë që ia ka dhënë All-llahu!”]

Abdullah ibni Amri tha: “Kjo të ka bërë të mbërrish në atë gradë!” – (Imam Ahmedi, etj.)

Pastroni zemrat për njëri-tjetrin, po vjen Ramazani!
Pastroni zemrat nga hasedi, nga injoranca, nga paragjykimi e ngurtësimi, nga hutimi e neglizhenca, po vjen Muaji më i mirë!

Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 28 prill 2018